Politike

Opozita: S’ka zgjedhje lokale. Protestë në 11 maj dhe bllokim rrugësh

Protesta e radhës së opozitës do të mbahet të shtunën më 11 maj. Ky është vendimi i marrë në mbledhjen që kryedemokrati Lulzim Basha ka organizuar me kolegjin e kryetarëve të PD-së në rrethe.
Ashtu si edhe në herën e shkuar më 13 prill, protesta e opozitës do të nisë pasdite në orën 18:30. Kryedemokrati u ka lënë detyra krerëve të rretheve që të marrim masa që të pranishëm në protestë të ketë sa më shumë pjesëmarrës.
Protesta përpara Kryeministrisë mësohet se do të drejtohet nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Skenari pritet të jetë i njëjtë, ku parashikohet edhe marshimi drejt Parlamentit.
Vendimi pë protesta vjen pas takimit që drejtuesit e PD-së dhe LSI-së dhe aleatët e tjerë patën ndërmjet tyre, ku parimisht është rënë dakord për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Ashpërsimi i protestave është një nga skenaret e opozitës, si reagim ndaj mos përmbushjes së kushteve për krijimin e një qeverie tranzitore dhe çuarjen e vendit në zgjedhje pa Edi Ramën si kryeministër , si dhe të kushteve për zgjedhje të lira.

Përpara datës 11 maj, opozita do të organizojë disa protesta nëpër rrethe, duke synuar bllokimin e disa akseve kryesore të rrugëve nacionale. Ky aksion pritet të nisë të enjten.

Basha: Jo zgjedhje fasadë, qeveri tranzitore
Në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, kryedemokrati ka deklaruar se opozita nuk do të bëhet pjesë e zgjedhje fasadë dhe se zgjidhja e vetme e krizës është krijimi i qeverisë tranzitore.
“Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që zgjedhjet në Shqipëri t’i organizojë dhe diktojë krimi. Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që krimi të diktojë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017. Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot. Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet. Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysëm, Gjykata e Lartë nuk funksionon, Prokuroria e Përgjithshme është e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël te krimit dhe oligarkisë, që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo”, mësohet të jetë shprehur Basha.
Për kryedemokratin “Fatura për këtë situatë do të jetë vetëm e Edi Ramës”.
Protesta e 11 majit konsiderohet si opozita si “një përballje popullore për të treguar se shqiptarët refuzojnë kategorikisht të vidhen dhe të qeverisen nga krimi”.

Kjo është protesta e 10-të e opozitës në total dhe katërta në rang kombëtar përpara Kryeministrisë, që prej nisjes së aksionit të tyre politik.
Pesë ditë më parë, PD-ja mblodhi Këshillin Kombëtar ku përcaktoj qëndrimin politik sa i përket zgjidhjes së krizës. Në këtë mbledhje u morën tre vendime si kushte ndaj mazhorancës. “Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Situata aktuale politike në Shqipërisë, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave. Partia Demokratike e Shqipërisë të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e interesit publik dhe formalizimin e aksionin opozitar për arritjen e këtyre qëllimeve”, ishin tre vendimet e marra në Këshillin Kombëtar të PD-së.
Ndërkaq Basha pas mbledhjes me kolegjin e kryetarëve, zhvilloi një takim edhe me aleatët për të përcaktuar hapat për konkretizimin e aksionit opozitar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë