Lajme

Opozita shqetëson turin e Ramës në rrethe. Një polic i plagosur në Fier

Që prej përshkallëzimit të protestave kundër Qeverisë, turi i takimeve në kuadër të “Bashkia që duam” i Kryeministrit Edi Rama nuk po zhvillohet i qetë.

E shtuna e gjeti shefin e Qeverisë në rrethin e Fierit. Ditën e nisi me mbikëqyrjen e qendrës shëndetësore të rikonstruktuar në qytetin e Patosit, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Në Qendrën e re Shëndetësore që u shërben 45 mijë banorëve, të cilëve pas dhjetra vitesh u është rikthyer dinjiteti i kujdesit shëndetësor, në një qendër ku deri dje priteshin e trajtoheshin si qenie të braktisura në mëshirën e fatit”, thotë Rama.

Agjenda zhvendosej në orën 11:00 në qendrën tregtare ETC në qytetin e Fierit. Por, 60 minuta para se të niste ky takim dhjetra mbështetës të opozitës u mblodhën për të protestuar.

Policia e Fierit e ndihmuar edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u përpoq të shpërndante protestën, duke i kujtuar kreut të demokratëve në këtë Qarkur, Enkelejd Alibeaj se tubimi ishte i paligjshëm.

Organizatorët kanë refuzuar thirrjet e policisë dhe Alibeaj e ka justifikuar protestën si “mllef të qytetarëve ndaj keqqeverisjes”.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/videos/292431028094160/

Një grup i protestuesve ka goditur më pas me gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të policisë. Për pasojë, uniformat blu thonë se një efektiv i FNSH-së ka mbetur i plagosur.

Një ditë më parë, Rama u prit me protesta në qytetin e Roskovecit. Mes protestuesve ishin edhe zyrtarët Enkelejd Alibeaj nga PD dhe Kejdi Mehmetaj nga LSI. Protestuesit dogjën goma në rrugë. Policia ndërhyu për shpërndarjen e tyre, por pa shkaktuar përplasje.

Pas këtij “incidenti”, Kryeministri festoi 8 Marsin në shoqërinë e dhjetra grave në qytetin e Fierit. Zakonisht, aktivitetet i shfaq përmes kamerave të kuruara mirë të ERTV-së në Facebook, ndërsa me rastin e festës zgjodhi që t’u rrëfejë ndjekësve atmosferën edhe nga kamera e telefonit të vet.

Në pamjet e shfaqura ai fton gratë që t’i bashkohen në shesh dhe të kërcejnë. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi dhe jo të gjithë i mirëpritën ato. Një pjesë e mirë e komenteve ironizonin Kryeministrin duke e krahasuar atë me striptistët e imazhet që shfaqen gjithmonë pas 8 Marsit nga klubet e natës në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë