Bledar Hoti – Opozita këtë të enjte e nisi ndryshe aksionin e saj politik, duke mos organizuar një “Parlament” paralel nëpër rrethe, por duke depozituar një padi penale ndaj kryeministrit Edi Rama.
Dy kryetarët e grupeve parlamentare Edmond Spaho i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së depozituan në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj numrit një të qeverisë, duke e akuzuar për kërcënimin ndaj nënkomisarit të policisë Emilajno Nuhu.
Arsyeja e kësaj padie ndaj kryeministri, janë fjalët e Ramës, që sipas opozitës, u shpreh kundër ish-oficerit Emiliano Nuhu që bëri rrëfimin e tij për rastin “Xhisiela” (vajza e dhunuar nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja). “Kryeministri i drejtohet me fjalë kërcënuese nënkomisarit Emiljano Nuhu. Ai ndërhyn në punën e organeve ligjzbatuese duke paracaktuar rezultatin e hetimit penal. Tenton të pengojë zbulimin e të vërtetës”, shkruhet në padi.
“Kanosja për shkak të detyrës”,“Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, janë tre veprat penale që opozita kërkon që të ndiqet penalisht kryeministri.
“Nisur nga ky deklarim publik i Kryeministrit Edi Rama rezulton qartë sa më poshtë: a) Kryeministri i drejtohet me fjalë kërcënuese nënkomisarit Emiljani Nuhu; b) Kryeministri ndërhyn në punën e organeve të ligjzbatuese, duke paracaktuar rezultatin e hetimit penal dhe duke shpallur pa asnjë prove të pabazuara deklaratat e nënkomisar Nuhu; c) Kryeministri nëpërmjet veprimeve të tij dhe fjalë kërcënuese tenton të pengojë zbulimin e të vërtetës, si dhe të frenojë nënkomisarin që të tregojë të vërtetën për opinion publik dhe organet e drejtësisë; ç) Kryeministri nëpërmjet kanosjes për të mos kallëzuar ndaj Nënkomisar Nuhut jep mesazh të qartë edhe për çdo punonjës tjetër të Policisë së Shtetit që mund të ketë të dhënë për këtë çështje, që të hesht dhe të mos dëshmojë, sepse ndryshe do të ndiqet “këmba, këmbës”. Të gjithë veprimet si më sipër janë kriminale dhe të paligjshme”, thuhet në kallëzimin e depozituar nga Spaho dhe Vasili.
Më tej theksohet se “Ligjërisht pas këtij kërcënimi, organi i Prokurorisë do të duhet të kishte nisur hetimet kryesisht, duke proceduar penalisht Kryeministrin Edi Rama. Pavarësisht faktit që organi i Prokurorisë, nuk ka vepruar kryesisht, siç ligji e ngarkon, vlerësojmë të nevojshme të sjellim në vëmendjen tuaj së veprime të tilla të kundërligjshme nga Kryeministri Edi Rama, përbëjnë vepër penale, sipas neneve 238, 301 dhe 311 të Kodit Penal”.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho pas depozitimit të kallëzimit penal deklaroi për mediat se kryeministri Edi Rama me këto akuza mund të dënohet me 2, 3 ose deri në 4 vite burg.
“ U kërcënua dhe kanos madje me vdekje nëse do vazhdonte hetimet duke nxjerrë para përgjegjësisë djalin e deputetit. Kanosjet erdhën nga familja e deputetit socialist. Kreu i grupit parlamentar Balla, kryetari i bashkisë Krujës dhe deputeti kishin kërcënuar nënkomisarin që të tërhiqej. Ky bëri dhe një denoncim në prokurori për këtë denoncim. Kishte dy hetime nga prokuroria, dhe kreu i qeverisë në një deklaratë live kërcënoi komisarin Nuhu duke i thënë horr i kthyer në hero. Ai ka ndërhyrë në punën e prokurorëve. Me deklaratën e tij kryeministri paracaktoi rezultatin e hetimit. Bëri të poshtërohej nënkomisari Nuhu. Ai e kërcënoi në një farë mënyrë që të mos vazhdojë me nxjerrjen e fakteve të tjera. Rama ka kryer tre vepra penale, kanosje për shkak të detyrës, ka ndërmarrë veprime për fshehjen e të vërtetës, dhe kanosje për të mos treguar. Akuza për të cilat mund të marrë 3-4 vite burg. U bëmë zëdhënës të qytetarëve ndaj lidhjeve të tij me krimin. Shpresojmë që prokuroria ta marrë seriozisht këtë çështje,” tha Spaho.
Pas këtij aksioni të opozitës, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se është i gatshëm që të hetohet për çështjen e komisarit Nuhu.
“Dy gjysmagjela të opozitës së shpërndarë më paskan kallëzuar në Prokurori në emër të heroit të filmit Babale 2. I falënderoj dhe plotësisht gati të hetohem, duke pritur me durim që Prokuroria t’i nxjerrë fundin të dy Babaleve, ndërkohë që puna për Paketën Antishpifje vazhdon”, shkruan Rama në Twitter.
Dy gjysmagjela të opozitës së shpërndarë më paskan kallëzuar në Prokurori në emër të heroit të filmit Babale 2🙃 I falenderoj dhe plotësisht gati të hetohem, duke pritur me durim që Prokuroria t'i nxjerrë fundin të dy Babaleve, ndërkohë që puna për Paketën Antishpifje vazhdon😊
— Edi Rama (@ediramaal) October 4, 2018
Komisari i policisë Emiljano Nuhu nëpërmjet një interviste televizive bëri publike një denoncim për përdhunim nga ana e shtetases Xhisiela Maloku, ku i kallëzuari është Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja. Madje ai u shpreh se është kërcënuar me jetë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Krujës, për mbylljen e kësaj ngjarje të ndodhur më 21 korrik. Ky ka qenë edhe shkaku që Nuhu pretendon se është larguar nga Shqipëria, duke kërkuar azil në Zvicër.
Për këtë ngjarje, kryeministri Edi Rama deklaroi të premten nga Korça se “Qëndrimi im është ai që ka qenë gjithmonë. Për mua, askush nuk është dhe s’mund të jetë mbi ligjin. Për Partinë Socialiste, askush nuk është dhe s’mund të jetë mbi ligjin. Ne këtë qëndrim e kemi jo vetëm me fjalë, por e kemi materializuar sa herë që jemi ballafaquar me faktet, ndryshe nga të tjerët. Nuk dua t’i kthehem fakteve historike.. Nga ana tjetër, për sa i përket vajzës, mund të them se, së pari, Policia e Shtetit ka bërë detyrën në përputhje me ligjin dhe djali i deputetit nuk ka pasur asnjë trajtim preferencial. Për një shkelje të procedurës, një oficer policie është pezulluar menjëherë nga puna dhe policia ka kryer të gjithë detyrimin e vet dhe i ka përcjellë çështjen Prokurorisë. Juve shpresoj që të bëni detyrën tuaj deri në fund dhe të zbardhni deri në fund nga ana juaj, në mënyrë të pavarur, gjithçka lidhur me një horr të kthyer në një “hero”, në vend se të dënohej publikisht nga të gjithë, si një person që ka braktisur detyrën, ka sabotuar hetimin dhe ka përdorur rastin për të marrë azil në një vend tjetër. Nuk do t’i ndahemi këmba-këmbës atij horri”, deklaroi Rama.
Kjo është padia e dytë penale që opozita, PD-LSI bën në Prokurorinë e Tiranës. Padia e parë ishte për kryeprokuroren Arta Marku, për largimin e paligjshëm të prokurorëve.
Opozita pretendon se me këto lëvizje kryeprokurorja e përkohshme bllokoi hetimet e nisura ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ndaj Emiljano Shullazit. Në kallëzim thuhet se “Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.