Lajme

Opozita padit Markun: Shpërbëu prokurorët e Tahirit dhe Shullazit

Ditën e sotme dosja e bujshme e Emiljano Shullazit shkaktoi tension dhe kaos në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pas reagimit të 10 prokurorëve përmes një deklarate drejtuar mediave dhe institucioneve, grupet parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë depozituar kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Opozita e akuzon atë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në dokumentin e padisë PD dhe LSI i drejtohen Prokurorisë së Tiranës, duke theksuar se “lëvizjet kaotike dhe me urdhër politik të prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, pa asnjë plan të mirëfilltë organizimi dhe që kanë sjellë dështimin e të gjitha çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike, janë veprime të kundërligjshme, që prekin drejtpërdrejt interesin e shtetit dhe të shtetasve”.

Në këtë mënyrë opozita akuzon kryeprokuroren Arta Marku se ka vendosur të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-ministrit Tahiri, duke ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij. Padia e opozitës i referohet edhe çështjes Shullazi, për të cilën theksohet se Prokuroria ka dështuar të përfaqësojë akuzën dhe shtetin në gjykim e për këtë përsëri bëhet fajtore kryeprokurorja Marku.

Aktet e saj konsiderohen si të paligjshme nga opozita, sipas së cilës ato provojnë tërësisht se qëllimi i Arta Markut në detyrë është shërbimi politik ndaj Edi Ramës dhe dështimi apo pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj qeverie apo organizatave kriminale të lidhura me të.

“Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, znj. Elisabeta Imeraj, Më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, z. Besim Hajdarmataj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit. Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqin çështjen penale të Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim”, thuhet në kallëzimin penal të opozitës.

Duke qenë se Arta Marku drejton prokurorinë dhe kallëzimi është bërë te vartësit e saj në Prokurorinë e Tiranës, opozita ka kërkuar njëkohësisht edhe marrjen e masës së përkohshme të pezullimit nga detyra deri në përfundimin e hetimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë