Politike

Opozita nuk ndalet, të enjten protestë para Parlamentit

Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të protestojnë të enjten përpara Parlamentit. Vendimi është marrë pas mbledhjes që kreu i PD-së, Lulzim Basha pati me Kolegjin e Kryetarëve. Në ora 10:00 është parashikuar mbledhja e Kuvendit të enjten, ndërsa demokratët kanë lajmëruar mbështetësit e tyre që të mblidhen përpara sallës së seancës plenare në orën 09:30, me skenarin për rrethimin e zonës për të mos lejuar deputetët që të futen.
“Të nderuar! Pas diskutimeve në Kolegjin e Kryetarëve u vendos që protesta e radhës të jetë të enjten, në datën 21 mars 2019, ora 9:30, përpara Parlamentit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në strukturat e PD-së, të cilëve iu kërkohet angazhim për pjesëmarrje masive.
Kryedemokrati Basha pas mbledhjes së djeshme u pyet për vendimet e marra nga Kolegji, por në deklaratat e tij për mediat u tregua i rezervuar.
“Do t’ju informojmë për çdo datë dhe për çdo zhvillim. Vendimi i Kryesisë është në fuqi, këto janë takime organizative. Protestat do të vazhdojnë dhe do të fuqizohen nga dita në ditë, nga java në javë, deri sa të realizojmë atë që do çdo shqiptar. Zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri nga populli, për popullin dhe të popullit”, deklaroi Basha pas takimit.
Protesta e 16 marsit u shoqërua me tensione dhe dhunë. Fillimisht ajo nisi përpara Kryeministrisë, por devijoi duke rrethuar Parlamentit, selinë ku mbahen seancat plenare. Protestuesit tentuan të futeshin brenda duke çarë kordonin e Policisë, duke gjuajtur me gurë drejt forca të rendit. Nga ana e tyre, policia hodhi disa herë gazlotsjellës në adresë të protestuesve.
Protesta e opozitës u mbyll pas 5 orësh dhe policia më pas bëri të ditur se ka bërë padi penale për 30 personave, mes tyre edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili është edhe organizatori i protestës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë