Lajme

Opozita niset drejt Tiranës! Policia me autobotë dhe maska antigaz

Opozita thotë se me mijëra qytetarë nga rrethet janë nisur në drejtim të Tiranës si përgjigje ndaj thirrjes së saj për të protestuar në orën 11:00 para Kryeministrisë. Disa dhjetra autobusë janë vënë në dispozicion të mbështetësve nga ana e Partisë Demokratike në Vlorë, Shkodër, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë dhe qytete të tjera të vendit.

Mëngjesi i së shtunës i gjeti pjesën më të madhe të deputetëve të PD-së nëpër rrethe për organizimin e nisjes së protestuesve në drejtim të Tiranës. Për organizimin e protestuesve në Shkodër ishte ngarkuar deputeti Flamur Noka. Përmes një deklarate ai thotë se shoferët e autobusëve të vënë në dispozicion nga opozita janë kërcënuar me gjobitje. Deputeti demokrat flet për një pjesëmarrje të lartë.

“Masiviteti është i paparë. Janë me mijëra qytetarë të Shkodrës që po nisen drejt Tiranës”, deklaron ai.

Noka përsërit mungesën e fjalimeve nga ana e drejtuesve të opozitës.

“Sot do të flasin qytetarët, sot politika hesht. Është dita e tyre. Pritet ajo që qytetarët e dinë vetë. Sot është fjala e tyre. Nuk është fjala e politikës”, thotë ai.

Sipas Partisë Demokratike:
Qarku Shkodër – 8000 qytetarë
Qarku Lezhë – 6800 qytetarë
Qarku Kukës – 4000 qytetarë
Qarku Dibër – 3500 qytetarë
Qarku Durrës – 9100 qytetarë
Qarku Elbasan – 7500 qytetarë
Qarku Berat – 3000 qytetarë
Qarku Fier – 4800 qytetarë
Qarku Vlorë – 4500 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë
Qarku Korçë – 4200 qytetarë

Opozita ka denoncuar disa përpjekje, sipas saj, të Policisë së Shtetit për të bllokuar protestuesit. Si formë shantazhi, PD thotë se në Lezhë e Shkodër postblloqet e uniformave blu janë përpjekur që të fotografojnë listën e udhëtarëve në autobusët e vënë në dispozicion nga opozita për protestuesit.

Drejtuesit e PD-së së Fierit nga ana tjetër i kanë bërë thirrje policisë që të ndalë kontrollet e shpeshta ndaj autobusëve. Dega e PD-së në këtë rreth thotë se kontrollet e panevojshme janë organizuar me qëllim për të vonuar protestuesit dhe pjesëmarrjen e tyre në tubim.

Policia ka bllokuar pak pas orës 08:00 pjesën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. Qarkullimi i mjeteve u ndalua dhe forcat “Shqiponja” dhe të grupit të gatshëm janë pozicionuar në kryqëzimet rrotull godinës së Qeverisë.

Policia thotë se për të garantuar sigurinë do të aktivizojë mbi 1200 forca të komisariateve të Tiranës, ndërkohë që nuk do të mungojnë as Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Plani të uniformave blu është i kushtëzuar në varësi të protestës, por paraprakisht janë marrë disa masa të përforcuara.

Së pari, në duart e një pjese të policëve, të paktën të atyre që mendohet se do të jenë në vijën e parë përballë protestuesve të opozitës, vërehen maska kundërgaz. Kjo përforcon zërat se protesta nuk do të jetë paqësore dhe nuk përjashtohet përdorimi i gazit lotsjellës ndaj protestueve nga ana e uniformave blu.

Rreth 900 forca të rendit do të jenë në vijën e parë, ndërkohë që botet e ujit për shpërndarjen e protestuesve janë në gatishmëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë