Politike

Opozita nis fushatën, por vetëm LSI flet për kandidatë të përbashkët

Edhe ndodhur prej muajsh jashtë Parlamentit, opozita duket se po ndjek një strategji të re, ku ndryshe nga herët e tjera ka ndezur më herët motorët për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Krijimi i një blloku opozitar PD, LSI dhe PDIU ka vënë në lëvizje liderët e këtyre partive politike, të cilët kanë nisur prej ditësh ballafaqimin me bazën, duke zhvilluar takime me strukturat e tyre nëpër qytete të ndryshme në Shqipëri.
Këto po ndërmerren me vënien në lëvizje të strukturave përkatëse, duke bërë konsultimet për zgjedhjet në ato qytete ku opozita shpreson të jetë më e fortë, ose në zonat ku ajo kërkon t’i marrë si drejtim. Kështu mund të përmendim takimet e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në Shkodër, Dibër dhe në Sarandë.
Organizmi i partive në këto zgjedhje janë në fokusin e takimeve të PD-së dhe LSI-së, të paktën kjo bëhet edhe më e qartë nga Kryemadhi se sa nga Basha.

Edhe pse ndodhemi 7 muaj larg zgjedhjeve, çështja që mund të shtrohet mënyra e daljes së opozitës në këto zgjedhje me kandidatë të përbashkët apo me një skemë mikse. Bashkimi i tre partive në koalicionin opozitar natyrshëm rrit shpresat e së djathtës përballë PS-së, ku duket se socialistët mund të konkurrojnë më vete, por edhe nëse do të dalin në koalicion aleatët e së majtës nuk e kanë atë peshë elektorale në krahasim me LSI dhe PDIU, dy aleatët e tyre të dikurshëm.
Kryemadhi në takimin e Sarandës bëri të qartë se opozita në këto zgjedhje do të dalë me kandidatë të përbashkët me PD-në, duke zbuluar dhe strategjinë e opozitës.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë takimit në Sarandë me strukturat e partisë

“Do doja të ndalesha edhe në disa gjëra të tjera për sa i përket bashkëpunimit opozitar, për sa i përket bashkëpunimit të LSI-së me PD-në dhe partitë e tjera opozitare. Ne tashmë jemi në një front opozitar. Do të shkojmë drejt marrëveshjeve të cilat do të hyjmë bashkarisht në zgjedhjet lokale, në përzgjedhjet e kandidatëve. Partia Demokratike ka filluar punën e saj për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët duhet të jenë fitimtarë në të gjithë fushatën elektorale. Ashtu sikurse edhe ne si LSI kemi filluar dhe jemi në kontakte me strukturat dhe drejtuesit për përzgjedhjen e kandidatëve tanë”, deklaroi Kryemadhi gjatë takimit të Sarandës.

Por, PD që është partia kryesore e opozitës janë më të rezervuar në këtë drejtim, pasi ende nuk kanë shpallur publikisht mënyrën se si do të dilet në këto zgjedhje. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha të shtunën e kaluar pati një takim me kryetari i Bordit të Vlerësimit të Kandidaturave të Partisë Konservatore, David Jones, i cili erdhi në Tiranë për të dhënë përvojën e konservatorëve në pushtet për mënyrën sesi përzgjidhen kandidaturat përpara se ato të bëhen zyrtare. Në daljen publike Basha iu shmang pyetjes së gazetarëve mënyrën se si do të dilet zgjedhje, me kandidatë të përbashkët, apo më vete, duke deklaruar se do të fliste në kohën dhe në momentin e duhur.

Drejtuesit e PD-së gjatë takimit me ekspertët britanikë të Partisë Konservatore

“Qëllimi është i qartë, demokratët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë do të kenë tek Partia Demokratike kandidatë për deputetë dhe kandidatë për pushtetin vendor që do të përfaqësojnë në radhë të parë dhe mbi të gjitha interesin publik, interesin e qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti. Ky takim është një shenjë e qartë e besimit të madh që partitë tona simotra kanë tek Partia Demokratike, e shpresës që përmes europianizimit të standardeve të zgjedhjeve të deputetëve dhe të përfaqësuesve të pushtetit vendor, Partia Demokratike tashmë të imponojë në skenën politike një standard europian, një standard i cili t’i shërbejë interesit të qytetarëve shqiptarë.” – u shpreh Basha.
Ndërsa në takimin e Beratit, kryedemokrati nuk është fokusuar te zgjedhjet e ardhshme, por më tepër te çështja e Vettingut në politikë dhe e Dekriminalizimit të zgjedhjeve.      


“Miratimi i amendamentit kushtetues për vettingun e politikanëve, dhe shporrja një orë e më parë nga Parlamenti dhe bashkitë e vendit dhe jashtë çdo institucioni, e politikanëve mafiozë, e politikanëve të lidhur me krimin. Ta mendojnë mirë, ata që bëjnë pakte kriminale me votat, se i pret largimi nga institucionet dhe i pret burgu. Dhe ky është kushti i dytë, i panegociueshëm. Dhjetëra qindra qytetarë prehen sot nëpër burgje për shkelje të ndryshme të ligjit, duke përfshirë edhe shkelje të detyruara nga kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë. Baballarë apo nëna që janë shtyrë të kryejnë vepra të ndryshme penale, vjedhje apo vepra të tjera penale, shpeshherë për bukën e fëmijëve të tyre, por ligji është ligj apo jo? Ligji është i verbër, ligji i takon të gjithë njësoj, apo jo? Është kështu apo jo? Jo, nuk është kështu, se dikush apo dikë e detyron e keqja të shkelë ligjin e të vjedhë diçka, përfundon në burg, kurse një politikan që kapet duke vjedhur vota me bandat e krimit të organizuar, që të mbajë pushtetin e të vjedhë përmes pushtetit tendera me miliona, vazhdon të krekoset në karrigen e kryeministrit apo të kryebashkiakut”, deklaroi Basha.

Basha gjatë takimit me strukturat në Berat

Ndërsa PD-ja në këto zgjedhje i ka drejtuar të gjithë bateritë e saj kryesisht te dy kryebashkiakët Qazim Sejdini i Elbasanit dhe Vangjush Dako të Durrësit. Sulmi ndaj këtyre dy kryebashkiakëve duket se janë edhe synimet kryesore të opozitës në zgjedhjet e ardhshme vendore, duke tentuar rrëmbimin e dy bashkive më të mëdha në Shqipëri.
“Pa ndëshkuar krimin elektoral, pa ndëshkuar kryebashkiakët dhe ministrat, të cilët janë kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë duke bërë pakte kriminale me bandat për qëllime elektorale, nuk mund të ketë asnjë luftë kundër krimit, as drejtësi, as përparim në Shqipëri. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë kompromis as me opozitën, as me Partinë Demokratike. Do të ketë betejë të vendosur. Këta njerëz duhet të arrestohen, duke filluar nga Vangjush Dako, Taulant Balla, Qazim Sejdini, Saimir Tahiri, njerëz që bredhin në kuaj me shalën miliona euroshe, bredhin me jahte e me makina luksoze dhe që japin konferenca shtypi nga hotelet luksoze të kryeqytetit. Duhet të jenë prapa hekurave, para prokurorëve, para drejtësisë, në burg”, do të deklaronte Basha.
Sa i përket bashkëpunimit me opozitën, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani pati deklaruar pak ditë më parë se mundësitë për arritjen e një koalicioni parazgjedhor me frontin opozitar është i mundur, por për të pasur një vendimmarrje duhet që të bëhet votimi nga strukturat drejtuese të partisë. Por momentin nuk ka asnjë vendim të strukturave të larta të PD-së për daljen ose jo në një front të përbashkët opozitar.
Demokratët duhet t’i bëjnë llogaritë mirë, pasi dalje me kandidatë të përbashkët do të thotë që PD të njihet me “oreksin” e LSI-së dhe PDIU-së. LSI-ja në zgjedhjet e shkuara lokale, kur ishte në koalicion me PS-së, mori 10 kandidatë nga 61 bashki gjithsej, duke i fituar 5 prej tyre.
Vettingu në politikë dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve është kushti i opozitës i paraqitur para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Demokratët kanë bllokuar për momentin procesin e plotësimit me dy anëtarë të KQZ-së. Dy vendet e lëna i takojnë opozitës, ky mos plotësim i vakancës shihet dhe si një strategji e re opozitës për arritjen e ndonjë pakti të ri politik me PS-në, me qëllim arritjen e garantimit të standardit në zgjedhje.
Opozita deri më tani ka shprehur vullnetin se do të marrë pjesë në zgjedhje, deri më tani strategjia e saj dhe takimet e ndërmarra lë këtë të nënkuptojë, edhe pse si opsion më vete e djathta ka hedhur edhe idenë e mbajtjes së dy palëve zgjedhjeve, veç atyre për pushtetin lokal dhe ato të parakohshme parlamentare, gjë që ka pak gjasa të realizohet.
Lëvizjet e kryedemokratit Basha tregojnë se PD-ja po kërkon një pakt të ri për mos cenim dhe standardet zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë