Politike

Opozita nis aksionin me bllokim rrugësh dhe mosbindje civile


Në çdo të enjte do të ketë protestë simbolike përpara Parlamentit nga të rinjtë e FRPD-së, ndërsa “forcat” do të përqendrohen te strategjia e re, bllokimi i rrugëve në akset kryesore nacionale. Ky është aksioni më i fundit që opozita do të ndërmarrë si pjesë e përshkallëzimit të qëndrimit të saj politik.
Në ora 18:00 të së enjtes do të bllokohen 5 pikat kyçe të akseve e rrugëve kombëtare për disa orë.
Protestuesit do të dalin në rrugën e Milotit, aksin nacional që lidh Veriun e Shqipërisë, si dhe pjesën tjetër të rrugës së Kombit, atë me Kosovën. Bllokimi i rrugëve do të bëhet dhe në rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja” duke bllokuar kalimin e makinave drejt kryeqytetit, Tiranës. Protestuesit e opozitës do të protestojnë duke bllokuar aksin Durrës-Kavajë, në rrethrrotullimin pranë vendit të quajtur zona e Plepave.
Akset e tjera që do të bllokohen janë pjesa që kalon në zonën e Bradasheshit në Elbasan që lidh pjesën juglindore të Shqipërisë dhe rrethrrotullimi në Sheq të Fierit ku kalon rruga nacionale që lidh jugun e vendit.


I gjithë ky bllokim do të realizohet në të njëjtën kohë, në ora 18:00, duke synuar kështu paralizimin e transportit në pika nevralgjike të akseve të rrugëve kombëtare të vendit.
Sipas burimeve mësohet se të edhe të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së do të protestojnë përpara Parlamentit të enjten paradite ku do të zhvillohet seanca plenare.
Ky është aksioni politik i opozitës përpara protestës kombëtare të 11 majit përpara Kryeministrisë.
Kryetari i PD-së së Fierit, Luan Baçi në një postim në Facebook i bën thirrje demokratëve që të mblidhen që në ora 17:00 në pjesën e rrethrrotullimit të Sheqit të Fierit. Ka vetem nje zgjidhje. “Qeverri tranzitore, me mandat të posaçëm, për garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme, ku të vendos sovrani dhe jo bandat e lidhura me krimin dhe politikën. Zgjedhje pa Partinë Demokratike nuk ka. Ne do të pamundësojmë çdo tentativë, për zgjedhje farsë, me opozitë false. Ne jemi të vendosur dhe në krahe të qytetarëve”, shkruan Baçi në Facebook.

Nga protesta e dy viteve më parë për bllokimin e rrugëve të organizuar nga opozita e djathtë


Një ditë më parë PD-ja së bashku me aleatët e saj firmosin paktin e koalicionit, ku vendosën që të mos hyjnë në zgjedhje pa u plotësuar kushtet e tyre. Për PD, LSI, PDIU, PR, PDK, PAA, LZHK dhe PBDNJ kushti i panegociueshëm është shkuarja e vendit në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.
Tetë partitë politike të bllokut opozitar që udhëhiqet nga PD janë zotuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, por mbi të gjitha nuk do të lejojnë që të mbahen më 30 qershor. Për këtë ata janë duke përgatitur skenarin tjetër të mos bindjes civile. Ky është aksioni i radhës pas refuzimit në bllok për t’u regjistruar në KQZ. Për opozitën rruga e vetme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie kalimtare, e cila do të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje lokale, të lira e të ndershme. Kështu me këtë qëndrim se pa opozitën nuk ka zgjedhje, po synohet edhe shtyrja e mbajtjes së lokaleve.
Në marrëveshjen e koalicionit të 8 partive theksohet se “nuk do të lejohet asnjë farsë elektorale, e organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës. Zhvillimi i zgjedhjeve do të bëhet i pamundur përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar, revoltës së qytetarëve në të gjithë vendin”.
Bllokim rrugësh opozita aktuale e ka ndërmarrë si aksion edhe dy vite më parë kur u arrestuan protestuesit e rrugës së Kukësit, të cilët kundërshtonin vendosjes së tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit.

Kur opozita socialiste bllokonte rrugët

Skenarët me bllokim të rrugëve nuk janë të panjohur në historinë e zhvillimeve politike në Shqipëri. Ato i kanë përdorur edhe socialistët kur ishin në opozitë dhe përpara 10 vitesh. Në maj të vitit 2011 socialistët do të protestonin në rrugë, duke kontestuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave për kreun e bashkisë së Tiranës, në atë kohë kandidonin Edi Rama dhe Luzim Basha.

Protesta e opozitës socialiste në vitin 2011 në Fier


Deputetët e organizuar nga PS-ja bllokuan rrugët kryesore në Vlorë, Tiranë, Durrës, Fier, Korçë, Tepelenë, Krujë. Madje duke djegur edhe gomat e makinës. Bllokimi i akseve u shoqërua edhe me konfrontime mes policisë dhe protestuesve, ku pati disa të arrestuar nga radhët e opozitës.
Në atë kohë kur vendin qeverisej nga e djathta, kryeministri Sali Berisha do ta dënonte në mënyrë të ashpër aksionin e opozitës për bllokimin e rrugëve. “Zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke respektuar plotësisht protestën, të mos tentojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë duke u ndalur rrugën. Le të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë. Rrugët janë të publikut, të qytetarëve, rrugët janë të atyre që transportojnë, të të sëmurëve dhe të shëndoshëve, të halleve dhe problemeve, të urgjencave dhe askush nuk mund të mendojë se do të mund të ndëshkojë qytetarët shqiptarë duke u dalë përpara në rrugë”, do të deklaronte kryeministri i asaj kohe, Berisha.

https://youtu.be/Bu5NOBlW_go
Nga protesta e PS kur ishte në opozitë, duke bllokuar rrugët në 8 qytetet kryesore të vendit


E njëjta situatë u përsërit edhe pas disa vitesh, në 2018-ën, ku PS-ja ishte në pushtet dhe demokratët në opozitë. PD-ja bllokoi rrugët nacionale kundër rritjes së çmimit të karburantit. Të mbështetur nga PD, qytetarët bllokuan për disa minuta autostradën në Durrës, aksin Fier-Vlorë dhe aksin Korçë-Pogradec. Në lidhje me këto protesta, reagoi Kryeministri Edi Rama.
“Eh Artist si e katandise opozitën! Të rinjtë e PD maskohen si studentë, se ndryshe i përzënë; dega e Fierit zë rrugën me jelekë të verdhë sikur i merr porositë nga Parisi; bashkia e Kukësit shfaqet si grup biznesmenësh të vegjël që duan dyqan pa kasë; ndërsa ti vetë te Astir Boja”, shprehej Rama në rrjetet sociale.
Aksioni i radhës së PD-së dhe aleatëve të saj është përsëri me bllokim rrugësh, edhe pse brenda këtij koalicioni opozitar është edhe PDIU, partia e Shpëtim Idrizit që në vitin 2017 do të deklaronte se zgjidhja e krizës nuk realizohet nëpërmjet bllokimit të rrugëve.
“Ne nuk mendojmë që është zgjidhje bllokimi i rrugëve. Ne mendojmë që zgjidhje është zhbllokimi i rrugëve të krizës. Të zhbllokojmë rrugët e krizës. Ne i kemi dhënë shqiptarëve sot një krizë që na nxjerr jashtë institucioneve. Politika ka qëndruar vazhdimisht nëpër çadra, para 4 vitesh një palë, sot pala tjetër. Një palë tjetër del në rrugë. Nuk ja kanë borxh shqiptarët kësaj klase politike, këtë konflikt që po përjetojnë sot. Këtë krizë të stisur nga politika shqiptare, të cilët ata që e kanë krijuar, refuzojnë që ta zgjidhin”, do të shprehej Idrizi gjatë një takimit me strukturat e PDIU në Durrës të zhvilluar më 23 prill të 2017-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë