Politike

Opozita mban pezull protestën, krijon Aleancën për Mbrojtjen e Demokracisë


Opozita është në pritje të zhvillimeve nga mazhoranca sa i përket nismës së shpallur për shkarkimin e presidentit Meta. Vendimi i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve ka krijuar një situatë të re, e cila po ndiqet nga opozita, pasi kjo edhe mund të krijojë ndonjë hapësirë për të realizuar ndonjë zgjidhje të krizës me ndërmjetësim ndërkombëtar në minutat e fundit, edhe pse një gjë e tillë duket e largët.
Mbi bazën e kësaj situate të re, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbasi mbajti qëndrimin e se nuk do të ketë shkarkim të Metës nga posti i presidentit, duke e cilësuar si një blof të Ramës, shprehu edhe një herë qëndrimin se zgjedhjet më 30 qershor nuk do të ketë. Në funksion të kësaj situate të re, Basha mblodhi kryesinë e PD-së, si dhe ftoi në një takim aleatët për të ravijëzuar qëndrimin që do të marrin në të ardhmen.
Beteja tashmë duket se është zhvendosur te fakti nëse mazhoranca do ta shkarkojë ose jo presidentit, duke përbërë një precedent të ri në historinë e demokracisë shqiptare.
Kryesia e PD-së ka vendosur që këtë javë të mos ketë protestë, por ajo të mund të mbahet në ditët e ardhshme, edhe pse jemi 20 ditë larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale.
Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PD-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Sipas PD-së, kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.
Mbi bazën e kësaj pritet të krijohen të gjitha strukturat në 61 bashkitë e Aleancës që duket se ka për qëllim dhe mos zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.
Partia Demokratike pritet që të mbledhë Këshillin Kombëtar për të vendosur mbi krijimin e kësaj strukture të re.
Deri më tani opozita ka zhvilluar tetë protesta kombëtare para Kryeministrisë. Kërkesat e saj kanë qenë shtyrja e zgjedhjeve lokale, largimi i Edi Ramës, si dhe krijimi i një qeverie tranzitore që garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe sipas standardeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë