Opozita nuk humbi kohë dhe materializoi si kërkesë në Kuvend idenë e Presidentit Ilir Meta për të ngritur një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi pajisjen me certifikatë sigurie të Gent Cakajt, aktualisht zv.ministër i Jashtëm dhe i propozuar nga Kryeministri Edi Rama si pasues i Bushatit, por i rrëzuar nga Presidenti.
Opozita kërkon që komisioni të verifikojë nëse DSIK e ka zbatuar ligjin për pajisjen e zëvendësministrit të jashtëm Gent Cakaj me certifikatë sigurie dhe si është zbatuar ligji për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument.
Në kërkesën e opozitës janë 4 çështje që janë objekt i hetimit parlamentar, i cili u paralajmërua një ditë më parë nga kreu i opozitës Lulzim Basha, gjatë emisionit Opinion. Nisur nga fakti që DSIK është institucion në varësi të Qeverisë, në kërkesën e opozitës bie në sy fakti se një nga personat që do të hetohet nga parlamenti është Kryeministri Edi Rama për rolin e tij në shkeljen e rregullave për garantimin e sekretit shtetëror.
4 çështjet objekt i komisionit hetimor të kërkuar nga opozita janë:
- Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë sigurie” nga DSIK;
- Roli i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrave përgjegjës në shkeljen e procedurave dhe rregullave për garantimin e informacionit “sekret shteërore” dhe shkeljen e procedurave për pajisjen e z. Cakaj me “certifikatë sigurie”;
- Arsyet e moszbatimit të ligjit nga z. Gent Cakaj për mbi 7 muaj dhe pasojat që ka sjellë për sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE;
- Autoritetet përgjegjëse që kanë lejuar z. Cakaj, të administrojë dhe përpunojë informacion të klasifikuar, pa qenë më parë i pajisur me “certifikatë sigurie”.
Kërkesa e opozitës për komision hetimor merr shkas nga informacionet zyrtare të paraqitura në dekretin e Presidentit për refuzimin e dekretimit të Genti Cakaj si Ministër i Jashtëm. Dokumentacion konfirmon se:
· DSIK e ka pajisur Genti Cakajn me një certifikatë sigurie 5 vjeçare brenda 24 orësh në kundërshtim me ligjin, i cili detyron që procedura për certifikatën brenda ditësh ka afat vetëm 1 mujor.
· DSIK nuk ka verifikuar Genti Cakajn në vendet ku ai ka jetuar gjatë, sin ë Belgjikë dhe Hungari.
· Genti Cakaj ka refuzuar për 7 muaj të kërkojë certifikatë sigurie, si person që trajton informacion të klasifikuar si sekret shtetëror nga NATO dhe BE, pavarësisht se strukturat e Ministrisë së Jashtme e kanë vënë në dijeni me shkresë zyrtare.
· Neglizhenca e zëvendësministrit të Jashtëm duke refuzuar të pajiset me certifikatë sigurie prej 7 muajsh ka çuar nëzbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.
Në kërkesën e saj, opozita thekson se këto konstatime evidentojnë një situatë të rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe ngrenë dyshime serioze mbi cenimin e detyrimeve që vendi ynë ka si vend anëtar i NATOS.
“Në këto kushte, është ne detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të ushtrojë kontroll parlamentar dhe eventualisht të individualizojë përgjegjësitë e institucioneve shtetërore në këtë çështje”, thuhet në kërkesën që mban firmat e deputetëve të PD-së dhe LSI-së.
Opozita kërkon që komisioni të ketë 9 anëtarë, ku kryetari të jetë nga PD, si dhe një afat kohor prej 3 muajsh. Sipas rregullores, Konferenca e Kryetarëve duhet të mblidhet jo më vonë se 5 ditë nga dorëzimi i kërkesës për të diskutuar kërkesën, përbërjen e komisionit, si dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.