Lajme

Opozita, letër Kolegjit Zgjedhor: Pezulloni mandatet për Këshillat Bashkiakë

Opozita e bashkuar i është drejtuar me një letër Kolegjit Zgjedhor ku i kërkon pezullimin e mandateve për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë.
Letra e opozitës mban firmën e numrit 2 të PD, Gazment Bardhi dhe dërgohet sot, para nisjes së shqyrtimit në Kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.
Sipas opozitës, për këtë letër është informuar ODIHR, ONM, BE, si dhe ambasadat kryesore në Tiranë.
“Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetueshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake”, shkruhet në letrën e PD-së.
Po ashtu, opozita thotë se ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit.
“Ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit. Standardet e shqyrtimit gjyqësor te mosmarrëveshjeve në rrezik nga presioni i vettingut mbi disa anëtarë të Kolegjit Zgjedhor”, thuhet më tej në letër.
Sipas letrës, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve.
“Sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 tetor mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen. Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti. Ky është një rast që Kolegji të mos lejojë zëvendësimin e pluralizmit me partinë shtet dhe demokracia me diktaturën”, thuhet në letër.
Opozita ka një apel edhe për Kolegjin.
“Koha t’i shërbeni interesit publik përpara interesit tuaj privat, i cili po përdoret nga Rama për të krijuar drejtësinë e tij private, duke i shkaktuar Shqipërisë një dëm afatgjatë”, përfundon letra e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë