Lajme

Opozita “futet” në zgjedhje, do dërgojë anëtarë për KZAZ-të

Opozita duket se po jep sinjale për t’u futur në zgjedhjet lokale, pasi dy partitë opozitare kanë vendosur të çojnë anëtarët e tyre në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

Edhe pse në arsyetimin e sekretarit të PD, Gazmend Bardhit, thuhet se ky është një vendim për të mbrojtur “manipulimet e procesit zgjedhor”, në fakt duket si sinjali i parë që opozita po përgatit terrenin për t’u futur në zgjedhje.

“Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshëmritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit”, thuhet në reagimin e Gazmend Bardhit.

Pak ditë më parë, Lulzim Basha uli tonet ndaj qeverisë dhe foli për “ndërmjetësim ndërkombëtar për krizën”, pas kritikave t forta që mori në bllok nga ambasadat për dhunën në protestën e 11 majit. Një gjë e tillë, ligjërisht duhet të ishte bërë 2 muaj më parë, por u refuzua.

Por, mësohet se caktimi i anëtarëve të KZAZ-ve nuk e ndryshon vendimin për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë