Politike

“Opozita e re”, të hënën KQZ jep 6 mandate të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë ditën e hënë dhënien e mandateve për gjashtë emrat të rinj nga listat shumëemërorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike.

Në lojë janë tre mandate të demokratëve dhe tre të LSI-së.

KQZ do të diskutojë kalimin e mandatit të Astrit Veliajt për Lefter Maliqin në Qarkun e Beratit, zëvendësimin e Viktor Tushajt, Nora Malajt dhe Vangjel Tavos përkatësisht në Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër dhe të Gent Strazimirit dhe Klevis Balliut të PD-së përkatësisht në Tiranë dhe Korçë.

Lefter Maliqi, Ligoraq Karamelo dhe Majlinda Halilaj të PD-së; Ediola Braha; Edlira Hyseni; Elda Hoti të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë gjashtë emrat që kanë plotësuar formularët e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pas marrjes së mandateve të lëna nga KQZ, ata pritet që të betohen në seancën plenare të 13 marsit në Kuvend, duke iu bashkuar 4 deputetëve të LSI-së që e kanë bërë këtë deri më tani. Numri total i emrave që refuzojnë marrjen e mandateve shkon në 10, ndërkohë që tre deputetë, Rudina Hajdari, Myslim Murrizi nga PD dhe Lefter Koka nga LSI refuzuan që në fillim lënien e mandateve.

Basha dhe Kryemadhi i kanë cilësuar si tradhtarë emrat që iu kundërvunë aksionit të përbashkët të opozitës, ndërsa Edi Rama i quan ata “opozita e re parlamentare” dhe zotohet se me këtë opozitë të re mazhoranca do të gjejë dakordësinë për të kaluar reformën zgjedhore, një kërkesë e Brukselit për hapjen e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë