Politike

“Opozita e Re”: Nëse duan mbështetjen tonë, kompromis për ndryshim sistemi

Opozita parlamentare “hap ofertat për tender” duke dashur të përfitojë maksimalisht nga kriza aktuale politike. Myslym Murrizi, deputeti i PD-së dhe nënkryetar i Parlamentit, la të nënkuptohet se nëse maxhoranca do të kërkojë mbështetjen e “opozitës së re”, do të duhet të ulet në kompromis me ta. Pas firmosjes së dekretit nga Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve dhe nismës së PS-së për të shkarkuar Presidentin, Myrrizi i bëri thirrje mazhorancës të vazhdojë para me opozitën e re në ndryshimin e sistemit zgjedhor. Murrizi teksa hodhi akuza ndaj mazhorancës u shpreh se politikanët janë të gatshëm për të bërë marrëveshje me ‘dreqin’ për të shpëtuar veten.
“Dua të pyes zotin Rama nëse e vazhdon më marrëveshjen e 17 majit. Qëndrojnë prej vitesh individë të shndërruar në monumente kulture, ata kërkojnë të ruajnë njëri-tjetrin se hallin e kanë përbashkët. Ata vazhdojnë të kthehen në funksion të vazhdimit funksional të këtij parlamenti. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me arrogancën.
Nisma ime dhe zonjës Hajdari është se ne jemi ulur në këtë karrige për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ne i qëndrojmë kauzës sonë: ndyshimi i sistemit zgjedhor. Nëse Rama e ka seriozisht që nuk i çon letër të shtatë Bashës, të kërkojë bashkëpunimin me pjesën e opozitës që është në Parlament”, u shpreh Murrizi.
Pyetur nga gazetarët për anulimin e zgjedhjeve nga ana e Metës, Murrizi theksoi se zhdekretimi është një shpikje alla-shqiptarçe.
“Unë nuk mbahem si babai i Kushtetutës, por të lexoj di dhe e kam provuar këtë. Zhdekretim nuk e kam dëgjuar, është shpikje alla-shqiptarçe, po ta gjeni ma thoni ju. Kushtetuta e ka thënë qartë. Parlamenti është sovrani që qeveris këtë vend, qoftë edhe Presidenti i Republikës zgjidhet me shumicën e thjeshtë të votave”, u shpreh Murrizi.
Lidhur me nismën e PS-së për shkarkimin e Ilir Metës, Murrizi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse opozita e re do të votonte apo jo, por u shpreh se çdo deputet ka të drejtën e tij individuale për të vendosur.
Sa u përket zgjedhjeve të 30 qershorit, ai tha se do të ketë votime.
“Zgjedhjet janë kur ka alternativë për zgjedhje. Votime do të ketë. Ku ka vetëm një kandidat do të ketë vetëm votime, ku ka më shumë, ka zgjedhje”, tha ndër të tjera Murrizi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë