Politike

Opozita e bashkuar: Lufta kundër krimit, kusht për integrimin

 “Lufta kundër krimit dhe drogës është kushti kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, ndaj ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë kurrë që e ardhmja e shqiptarëve të sakrifikohet”.

Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, opozita e bashkuar shprehu sot mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë qytetarët që protestuan me dinjitet dhe atdhetari kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe qeverisë së kapur prej tyre, si dhe për qindra mijëra të tjerë që mbështetën protestën në çdo anë të Shqipërisë.

“Ata dëshmuan vlerat europiane të popullit tonë përballë qeverisë së lidhur me krimin dhe trafikun e drogës, dëshmuan qytetarinë e popullit tonë përballë harbutërisë së qeverisë. Ata bënë të qartë se shqiptarët nuk pajtohen me krimin dhe drogën dhe, mbi të gjitha, nuk mund të tolerojnë një qeveri të kapur nga krimi”, thuhet në këtë deklaratë.

Po ashtu, opozita e bashkuar shprehet se qëndrimi i saj kundër krimit dhe drogës dhe për një Shqipëri europiane është i vendosur dhe i pakapërcyeshëm.

“Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe t’i hapë rrugën një hetimi të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Edi Rama po vazhdon në mënyrë kriminale mbrojtjen me mekanizma mafiozë presioni dhe manipulimi të Fatmir Xhafajt”, thuhet më tej në deklaratë.

Opozita e bashkuar deklaroi si kushte të pakalueshme për integrimin europian të Shqipërisë, largimin dhe hetimin e Xhafaj dhe vëllait të tij sipas Ligjit Antimafia, si dhe ndaljen e kërcënimeve dhe presioneve kriminale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në procesin ndaj Saimir Tahirit dhe figurave të larta qeveritare, që janë nën hetim për lidhje me krimin dhe korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë