Opozita e bashkuar i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruci dhe kryetarit të KQZ-së Ilirian Celibashi ku kërkohet shtyrja e afatit të vlefshmërisë te dokumenteve identifikuese dhe pasaportave biometrike deri në datën 30 prill 2021.
Kjo kërkesë iu bë me dije edhe ambasadorëve të SHBA, OSBE dhe BE.
Në letrën e firmosur në emër të opozitës nga Gazmend Bardhi sqarohet se kërkesa bëhet pasi një numri të madh shtetasish i ka përfunduar vlefshmëria e dokumenteve identifikuese. Për arsye të ndryshme përfshirë dhe ekonomike këta shtetas hasin vështirësi në rinovimin e kartës së identitetit apo pasaportës.
Në letër thuhet se mbështetur në informacionet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile janë 1,062,000 shtetas që mund të mos votojnë në zgjedhjet e 25 prillit sepse dokumenti i tyre ka skaduar ose skadon deri më atë ditë.
Opozita përcakton se kjo masë nuk ka për qëllim të ndalë proceset e rinovimit të dokumenteve identifikuese , por në raste të tilla kur duhet garantuar e drejta për të zgjedhur dhe koha nuk është e mjaftueshme , një vendim i tillë është proporcional.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.