Politike

Opinioni i Venecias për vettingun, PS dhe PD shpallin fitoren

Nga Bledi Hoti -Komisioni i Venecias miratoi opinionin për Shqipërinë ne lidhje me nismën për vetting në politikë, duke saktësuar se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë të drejtën për t’u zgjedhur. Sot në mbledhjen e komisionit të Venecia kanë qenë të pranishëm nga Shqipëria tre deputetë të PS-së Vasilika Hysi, Klotilda Ferhati dhe Ermonela Felaj, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Silva Çaka e LSI-së, si dhe këshilltari ligjor i demokratëve, Gazmend Bardhi.
Në mbledhjen e sotme ka pasur disa ndryshme, të cilat do të pasqyrohen në raportin final, i cili do të publikohet zyrtarisht më 17 dhjetor. Ndryshimet që u miratuan në Opinionin e sotëm, u përfol se u realizuan për shkak të mendimeve që u paraqitën nga ana e PD-së, por anëtarja e delegacionit shqiptar, deputetja Klotilda Ferhati e cilësoi si të pavërtetë.

Delegacioni i Parlamentit shqiptar së bashku me kreun e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio

Në prononcimin e dhënë për Gazetën SI, Ferhati tha se “as PS dhe PD nuk kanë paraqitur amendamente për opinion. Ato janë thjesht vetëm saktësime për teknikat legjislative. E vetmja gjë që shtohet nga vetë Komisioni i Venecias janë vendimet e Gjykatës së Strasburgut që japin referencë raste të tilla. Nënkomisioni dhe Komisioni i Venecias shqyrtojnë çështje teknike dhe mund të bëjnë ndërhyrje. Amendamenti i votuar sot nga Venecia është tërësisht teknik. Pra janë të pavërteta se amendamentet ishin paraqitur nga PD-ja. Drejtuesi i seancës pyeti nëse kanë amendamente partitë dhe asnjë nga ne nuk paraqiti ndonjë amendament”, deklaroi Ferhati.
Ndërsa Ermonela Felaj shprehet se “shqyrtimi në Komisionin e Venecias i nismës kushtetuese të opozitës për Vettingun në politikë, na dha dhe njëherë mundësinë të konfirmojmë përmes një trupe të vlerësuar për ekspertizën në lëmin kushtetues siç është ky komision, qe vettingu i politikanëve duhet të ndodhë përmes institucioneve të pavarura, të dedikuara dhe në mënyrë permanente. Reforma në drejtësi ofron institucione të reja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtareve, veprimi i të cilave tani është më pranë se kurrë”.

Faksimile e amendamentit të paraqitur në mbledhjen e Komisionit te Venecias


Përfaqësuesi i PD-së në Komisionin e Venecias, Oerd Bylykbashi shkruan se “Nga Venecia vjen lajm i mirë për shqiptaret dhe i keq për politikanet mafiozë. Komisioni i Venecias konfirmoi sot kauzën e drejtë dhe legjitime të Partisë Demokratike dhe Opozitës shqiptare për vettingun politikanëve te lidhur me krimin e organizuar”.
Për deputetin demokrat Venecia i bën thirrje mazhorancës që të ulet dhe të negociojë me opozitën dhe të ketë dialog konstruktiv, duke ofruar dhe asistencën e ekspertëve ndërkombëtare të Komisionit.


“Opinioni i miratuar sot nga Komisioni i Venecias përcaktoi guidën e detajuar për miratimin përfundimtar nga Parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar që, ashtu si Dekriminalizimi, do të duhet të largojë politikanët e lidhur me Mafian. Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorancës të ulet në dialog konstruktiv me Opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit sipas udhëzimeve të Komisionit dhe shprehu gatishmërinë për të asistuar më tej në përfundimin e këtij procesi”, shkruan Bylykbashi.‎
Në të njëjtën linjë shfaqet edhe deputetja e LSI-së, Silva Caka, e cila ishte pjesë e këtij delegacioni. “Kisha kënaqësinë të isha pjesë e delegacionit parlamentar në Komisionin e Venecias, ku u miratua opinioni përfundimtar i këtij Komisioni, i cili rithekson emergjencën dhe qëllimin legjitim të Vetting-ut të politikanëve, nismë e propozuar nga opozita. Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, falënderojmë anëtarët e Komisionit të Venecias dhe Z. Gianni Buquicchio, për investimin dhe opinionin e tyre të vyer. Komisioni i Venecias mbetet një partner i padiskutueshëm dhe nxitës i forcimit të shtetit të së drejtës”, shkruan Caka në Facebook.


Qëndrimi i Venecias


Në një njoftim për median pas mbledhjes së ditës së sotme, Komisioni i Venecias theksohet se “Në një opinion të miratuar sot, Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit ("Komisioni i Venecias") konstaton se projektligji për amendimet e kushtetuese që mundësojnë verifikimin e politikanëve në Shqipëri, duke përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të tyre me krimin e organizuar, nuk ofrojnë udhëzime dhe masa mbrojtëse të përshtatshme për një proces të tillë të ndjeshëm dhe mund të çojë lehtësisht në abuzim me pushtetin”.
Gjithashtu theksohet se duke pranuar synimin legjitim për të eliminuar lidhjet e kriminelëve dhe ndikimin e tyre në qeveri dhe jetën politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin për mungesën e qartësisë dhe sigurisë juridike lidhur me fushëveprimin dhe zbatimin e procedurës së propozuar të verifikimit që mund të shkaktojë implikime të rënda lidhur për të drejtat e atyre që janë subjektet këtij ligji.

Faksmile e njoftimit të Komisionit të Venecias


“Opinioni vë në dukje se nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për verifikimin dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose i pavarur. Nuk ka qartësi ligjore nëse skualifikimi duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar dhe nuk garanton siguri që procesi nuk do të përdoret politikisht në mënyrë të njëanshëm, ose arbitrar. Sipas ekspertëve konstitucional të Këshillit të Europës, propozimi në shumë mënyra gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit”, thuhet në deklaratën zyrtare të Këshillit të Europës.
Gjithashtu në këtë deklaratë ngrihen edhe disa pikëpyetje në lidhje me mënyrën e përcaktimit të atyre personave (zyrtarëve) të lidhur me krimin.
“Projektligji gjithashtu nuk arrin të përcaktojë disa elementë kryesorë, si: çfarë nënkuptohet me kontakte me persona të caktuar; çfarë nënkuptohet me i përfshirë në krimin e organizuar; dhe çfarë nënkuptohet duke u përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat e dyshimtë”, thuhet më tej në deklaratën zyrtare.
Sa i përket zyrtarëve të zgjedhur, Komisioni i Venecias e gjen propozimin e opozitës si në kundërshtim me të Konventën për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe me Kodin e Praktikave të Mira të Çështjeve Zgjedhore. “Kjo sepse Vettingu i bazuar në qoftë se dikush ka kontakte me personat e përfshirë në krimin e organizuar mund të përdoret lehtësisht për të kufizuar të drejtën për zgjedhje të lira, pavarësisht nga natyra e kontakteve. Nëse Vettingu ka për qëllim të aplikohet edhe për zyrtarët e pazgjedhur, Opinioni thekson se paqartësitë rreth qëllimit dhe zbatimit të tij e bëjnë të vështirë garantimin e të Drejtave, sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tej në deklaratë.
Por në të njëjtën kohe Venecias kërkon që të ketë një dialog mes palëve për çështjen e nismës për ndryshimet kushtetuese.
“Duke pasur në konsideratë dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin në lidhje me mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme. Ndërsa është i gatshëm të ofrojë ndihmë të mëtejshme, Komisioni i Venecias thekson se hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet e propozuara kushtetuese duhet të merren në Parlament, nëpërmjet dialogut midis të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, thuhet në deklaratë.


Përplasja Rama dhe Basha

Debati se kujt i dha të drejtë Venecia për Vettingun në politikë u zhvendos ndërkohë mes dy liderëve kryesorë të politikës, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. I pari që reagoi ishte kryeministri, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan: “Eh Artist, s'më vjen mirë për ty, po ti s'vë mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjoja vettingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1073538971433607170

Ndërsa Kryetari i PD iu kundërpërgjigj po me të njëjtin stil kundërshtarit të tij politik, me anë të rrjeteve sociale.
“Hajduti psikik ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për Vettingun e politikanëve. Asgjë nuk e shpëton hajdutin psikik nga lidhjet me krimin! Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron!”, shkruan Basha në Twitter.
Pas daljes së opinionit përfundimtar të Venecias, Kuvendi i duhet ta votojë në seancë plenare nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim realizimin e Vettingut në Politikë. Votimi mund të bëhet në seancën plenare të 21 dhjetorit, por për nismën e opozitës, palët duket se janë të ndara për sa i përket vlerësimit të Opinionit të Venecias, ku si socialistët dhe demokratët kanë mendime të ndryshme.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1073545983542378502

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë