Rend dhe Ligj

Operacioni Itali-Shqipëri, vihen në pranga 11 persona, dy prej tyre shqiptarë

Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion policor të përbashkët Itali-Shqipëri, duke goditur një grup kriminal që operonte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike kokainë.

Nga ky operacion janë vënë në pranga në Itali e Shqipëri, 11 persona, dy prej të cilëve u kapën në territorin shqiptar.

Nga ky operacion, gjatë orëve të para të mëngjesit, në Itali dhe Shqipëri u bë ekzekutimi i 11 urdhrave të arrestit të lëshuara për pjesëtarët e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, 9 prej të cilëve u kapën në Itali dhe 2 në Shqipëri.

Dy shqiptarët janë shtetasit F. P., 32 vjeç, lindur në Shkodër dhe I. D, 49 vjeç, lindur në Cërrik.

Gjykata e Hetimeve Para-Gjyqësore në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër-arreste për 11 persona, ndërmjet tyre edhe këta dy shtetas, për veprën penale “Posedim dhe kontrabandim i paligjshëm i drogave, kryesisht kokainë” kryer në bashkëpunim. Maksimumi i dënimit 20 vjet burg.

Siç njofton policia, 32-vjeçari F. P. ka luajtur rolin e tij si ndërmjetësues mes disa shtetasve shqiptarë të raportuar si blerës të pakove me kokainë, vepër penale të cilën e ka kryer në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ndërsa 49-vjeçari I. D., duke vepruar në rolin e rishitësit të lëndës narkotike, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë ishte përgjegjës për mbledhjen dhe nxjerrjen në shitje të pakove me kokainë, sasi e siguruar dhe e ruajtur nga shtetas të tjerë shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë