Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë punimeve të Konventës së Drejtorëve të Policive Europiane që u zhvillua në Hagë, Holandë, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me delegacione të Policive të vendeve europiane dhe Policisë amerikane.
Drejtori Veliu zhvilloi takime me delegacionet e Policisë amerikane, spanjolle e franceze.
Përfaqësuesit e delegacioneve gjatë bisedës me Veliun kanë shprehur vlerësimet për punën e Policisë shqiptare, për bashkëpunimin dhe seriozitetin e treguar gjatë operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale apo në drejtim të shkëmbimit të informacionit për hetimin e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit të organizuar, krimeve ndaj personit, si dhe atë të luftës kundër terrorizmit.
Gjithashtu, gjatë takimeve u ra dakord që ky bashkëpunim të thellohet më tej, duke përsosur format dhe metodat për të hetuar dhe zhvilluar operacione të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar.
Përfaqësuesi i delegacionit amerikan, Ricardo Colon, falenderoi në mënyrë të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z. Veliu për bashkëpunimin shumë të mirë në të gjitha fushat me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së.
Drejtor Veliu ka siguruar homologët se Policia e Shtetit është e orientuar dhe e fokusuar tek operacioni "Forca e Ligjit" në veprim për goditjen e grupeve kriminale, duke bashkëpunuar me homologët.
Konventa zhvilloi punimet prej dy ditësh, ku morën pjesë delegacione nga të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe institucionet ligj zbatuese të Bashkimit Europian EUROPOL, FRONTEX, EUROJUST, por edhe agjencitë e tjera ligjzbatuese si INTERPOL, DEA, etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.