Ne rrjet

Operacion italo-spanjoll; mbi 100 veta në pranga. Çmontohet grupi mafioz i pastrimit të parave

Një operacion i përbashkët i autoriteteve spanjolle dhe italiane, në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust çmontoi një grup kriminal të organizuar të lidhur me mafien italiane të përfshirë në mashtrime online, pastrim parash, trafik droge dhe grabitje pronash.

Të dyshuarit mashtruan qindra viktima përmes sulmeve kibernetike dhe llojeve të tjera të mashtrimit në internet, të tilla si ndërrimi i kartave SIM dhe kompromentimi i postave elektronike të bizneseve, para se të pastronin paratë përmes një rrjeti të gjerë të llogarive të përvetësuara nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale. Vetëm vitin e kaluar, fitimi i grupit vlerësohet në mbi 10 milionë euro.

Në total janë arrestuar 106 persona, kryesisht në Spanjë dhe Itali, janë kontrolluar 16 banesa dhe bllokuar 118 llogari bankare. Konfiskimet përfshijnë shumë pajisje elektronike, 224 karta krediti, karta SIM dhe karta ATM, një plantacion marihuanë dhe pajisje për kultivimin dhe shpërndarjen e saj.

Rrjet kriminal ishte i mirëorganizuar në një strukturë piramidale, e cila përfshinte zonat dhe rolet të ndryshme sipas specialiteteve të anëtarëve. Midis anëtarëve të grupit kriminal ishin ekspertë kompjuterësh, të cilët krijonin sisteme “e peshkimit” dhe kryerjes së mashtrimeve në internet; rekrutuesit dhe organizatorët e grumbullimit të parave dhe ekspertë të pastrimit të parave, përfshirë ekspertë në kriptovaluta.

Shumica e anëtarëve të dyshuar janë shtetas italianë, disa prej të cilëve kanë lidhje me organizatat mafioze vendase. Me bazë në Tenerife në ishujt Kanarie të Spanjës, të dyshuarit mashtronin viktimat e tyre, kryesisht shtetas italianë edhe online, duke u zhvatur shuma të mëdha nga llogaritë bankare, për t’i transferuar ato më pas në llogaritë e rrjetit, që fshiheshin kryesisht pas kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.

Në operacion u përfshi edhe Europol, që lehtësoi shkëmbimin e informacionit, koordinimin operacional dhe siguroi mbështetje analitike për këtë hetim, i cili zgjati mbi një vit. Gjatë aktiviteteve operacionale, Europol vendosi dy analistë dhe një ekspert kriminalistik në Tenerife, Spanjë dhe një analist në Itali. Për më tepër, Europol financoi vendosjen e tre hetuesve italianë në Tenerife për të mbështetur autoritetet spanjolle gjatë ditës së aksionit.

Grupi i Përbashkët i Veprimit për Krimet Kibernetike (J-CAT) në Europol mbështeti operacionin. Ky ekip operacional i përhershëm përbëhet nga oficerë ndërlidhës kibernetikë nga vende të ndryshme të cilët punojnë nga e njëjta zyrë në hetimet e profilit të lartë të krimit kibernetik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë