Lajme

Operacion i madh kontrolli në Lezhë, 3 persona në pranga

Në kuadër të planit operacional “Qarku”, policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle të gjera në të gjithë territorin e Lezhës për kapjen e personave në kërkim, si dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri e sende tjera kundërligjshme.
Në sajë të këtij operacioni, janë vënë në pranga tre shtetas dhe është proceduar penalisht një tjetër.
Policia bën me dije se është arrestuar përkohësisht me qëllim ekstradimi, shtetasi Erikson Tetaj, 23 vjeç, banues në Lezhë. Gjykata në Itali e ka dënuar 23-vjeçarin me 20 vite burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Po ashtu është ndaluar shtetasi E. N., 22 vjeç, banues në Laç, pasi ishte në kërkim kombëtar për veprën penale “Vjedhja”. 22-vjeçari dyshohet se është autori i vjedhjes së dyqanit të shtetases B. K., në Laç, ndodhur më 10 korrik të këtij viti ku ka vjedhur mallra dhe vlera monetare.
Gjithashtu është arrestuar shtetasi B. P., 28 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë TT me krehër me 7 fishekë, pa leje.
Ndërkohë është proceduar penalisht shtetasi E. Sh., 32 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa doza lëndë narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë