Ka ndodhur

Operacion anti-drogë në Krujë dhe zonat përreth, digjen me dhjetëra bimë kanabis

Në një mega-operacion policor të zhvilluar në Krujë, Fushë Krujë dhe malësitë e kësaj zone, FNSH dhe RENEA kanë sekuestruar dhe shkatërruar me dhjetëra bimë kanabis sativa.

Burime policore bëjnë të ditur se deri më tani janë shoqëruar në polici të paktën 7 persona, të dyshuar si kultivues të lëndëve narkotike.

Deri tani, janë zbuluar mbi 10 sera të mbjella me kanabis që janë kamufluar si të mbjella me perime. Pas sekuestrimit, ato janë asgjësuar nga agjentët e policisë përmes djegies.

Kontrolli i territorit po vijon edhe në zonën e Niklës dhe Larushk, si dhe në sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.

Operacioni është organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në bashkëpunim me drejtoritë vendore të policisë Durrës e Krujë.

Në aksion kanë marrë pjesë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës dhe Fierit si dhe forcat RENEA. Operacioni është ndjekur edhe nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, ku në terren ndodhet edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, i cili drejton operacionin, bashkë me drejtuesin e Policisë së Rendit, Gjovalin Lokën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë