Kinema

“Open Cinema” nis edicionin e pestë, me filma shqiptarë dhe të huaj

“Open Cinema” kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri nis këtë mbrëmje në qytetin e Patosit.

Filmat e fundit të kinemasë shqiptare, promovim i regjisorëve të rinj argëtim dhe muzikë live, si dhe kryevepra nga kinemaja botërore do të jetë zinxhiri i këtij aktiviteti kombëtar në këtë sezon të ri turistik veror.

Edicioni i pestë i “Open Cinema” nis në Patos me magjinë e ekranit të madh, dhe do të jetë në datat 21, 22 dhe 23 qershor.

Disa nga filmat që do të shfaqen në Patos në këtë edicion të pestë të “Open Cinema” janë: “Krimineli”, “Deri në mesnatë”, “Uku”, “Gjergj”, etj. Edicionet e “Open Cinema” në vite i kanë shoqëruar edhe të ftuarit. Si çdo vit ata janë nga fusha e kinematografisë dhe muzikës, duke u bërë pjesë e këtij aktiviteti që kudo është mirëpritur nga publiku nën drejtimin e producentit Skënder Jaçe.

Në Patos të ftuarit janë Irma Libohova, Jorgo Papingji, Mevlan Shanaj, Natasha Lako, Mira Jani, Ermal Qori, Christian Borova, Kristina Ndoja, Hysni Hoxha.

Edicioni i pestë i aktivitetit “Open Cinema” hapet këtë vit me filmin me regji nga Ermal Qorit "Lokomotiva", si dhe ai me titull "Krimineli" i Christian Borovës.

“Open Cinema” në disa qytete

“Open Cinena” është një aktivitet që mirëpritet pas një viti të vështirë nga pandemia.

Në mungesë të kinemave në vendin tonë, publiku mund t’i ndjekë filmat në hapësira të ndryshme jashtë përmes “Open Cinema”.

Edicioni i pestë do të jetë në 12 qytete të vendit.

Aktiviteti “Open Cinema” me filmat në vendin tonë e mbylli edicionin e katërt në vitin që lamë pas, në qytetin e Belshit.

Nata përmbyllëse e edicionit të katërt të “Open Cinema” në qytetin e Belshit, përcolli tek spektatorët e shumtë edhe dokumentarë të realizuar me profesionalizëm dhe pasion.

Projektuar dhe realizuar nga “Cinemania Production” aktiviteti mbështetet nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe bashkitë e qyteteve të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë