Lajme

ONM kërkon shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Artur Malaj.

Artur Malaj, gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kaloi më datë 3 gusht procesin e Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka konfirmuar atë në detyrë, por ONM nuk është dakord me këtë vendim.  

Gjyqtari Malaj sipas raportit të ILDKPI, kishte bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe nuk kishte fshehur pasurinë. KPK ka kryer një hetim të thelluar, pavarësisht raportit dhe ka konstatuar që ka bërë deklarim të saktë.

Në seancën dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli kundër DSIK për Malaj. DSIK e konsideronte të papërshtatshëm Malaj për të vijuar ushtrimin e detyrës, pasi ishin zbuluar lidhje të tij me elemente kriminalë.

Malaj e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar në vitin 2004 duke drejtuar Gjykatën e Vlorës deri në vitin 2013. Më pas, ai u emërua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit nga presidenti i Republikës. Po ashtu ka qenë anëtar i Kolegjit Zgjedhor dhe kandidon për postin e inspektorit të lartë të Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë