Politike

Oligarkët e zgjedhjet – Ku dallojnë Basha e Berisha

Në analizën e përgjithshme të gjendjes së vendit, Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë plotësisht në sinkron, por mes ish-kreut demokrat dhe kryetarit aktual të Partisë Demokratike duket sikur kanë nisur të shpërfaqen disa ndasi, të paktën në termat e përdorur sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhje.

Basha, ashtu si Berisha flet për një situatë më shumë se të zymtë në vend, që ja faturon korrupsionit qeveritar dhe lidhjeve të qeverisë me oligarkët dhe krimin.

Por, në diskursin politik të Berishës fjala “oligark” haset më rrallë, ndërsa Basha e ka shndërruar atë në flamurin e radhës të betejës kundër Edi Ramës. Kreu i PD-së prezantoi mesditën e së hënës platformën e opozitës kundër korrupsionit dhe oligarkisë, ku propozohet amendimi i ligjit antimafia dhe përfshirja në të e tenderave, koncesioneve, lejeve dhe akteve qeveritare që, sipas PD-së, u kanë dhënë në mënyrë arbitrare dhe korruptive pasuri publike personave privatë.

“Vendi po kalon një situatë shumë të rëndë, veçanërisht në rrafshin ekonomik, pasi shqiptarët e të gjitha shtresave e ndjejnë darën e shtrengimit ekonomik, që është rezultat i aleancës së pushtetit me një grusht oligarkësh”, deklaronte në mbrëmje i ftuar në emisionin “Open” të Eni Vasilit kreu i PD-së.

Demokratët e kanë shtjelluar propozimin e tyre, që nga objekti që do të hetojë, e deri tek mënyra se si do të funksionojë mekanizmi ndëshkues, që parashikon mes të tjerash sekuestrimin e më pas edhe konfiskimin e pasurive që dyshohet, apo provohet se burojnë nga tendera korruptivë.

“Paratë e shqiptarëve po prodhojnë mirëqenie vetëm për një grup njerëzish dhe jo për të gjithë popullsinë. Kjo ndodh pasi ligjet shkelen dhe me ndërhyrjen e shtetit, kompani të caktuara, pas vetëm 48 orësh nga krijimi, merr miliona euro koncesione. Ligji synon ndaljen e këtij procesi dhe verifikimin me detaje të këtyre aferave, duke bërë sekuestrimin e pasurive të paligjshme dhe duke çuar para përgjegjësisë të gjithë zyrtarët që janë të përfshirë”, thotë Lulzim Basha.

Platforma e antikorrupsion e Lulzim Bashës flet me emra konkretë. Mes tyre janë Bashkim Ulaj i Gener 2, apo Shkëlqim Fusha i “Fusha Sh.p.k”, që të dy sipërmarrës që kanë fituar disa tendera dhe koncesione me vlera të konsiderueshme në qeverinë e Sali Berishës.

Por, cili është ndryshimi mes tenderave të dhënë nga demokratët dhe atyre të dhënë nga socialistët? Për Bashën ka një ndryshim thelbësor.

“Ne nuk po flasim për gara të ndershme dhe për para të marra në mënyrë të ndershme, për zbatim projektesh, por për para të vjedhura nga populli dhe të përfunduara në xhepat e oligarkëve. Rasti i Valbonës bën fjalë për ndërtimin e disa veprave energjitike, me paratë e privatëve dhe që pas përfundimit të periudhës koncesionare, mbeten në pronësi të shqiptarëve. Në rastin aktual, qeveria po shet shërbime te privatët dhe bëhet fjalë për shërbime që populli nuk i merr kurrë, por që vetëm pasurojnë oligarkët dhe qeveritarët që fshihen pas tyre”, u shpreh ai.

Mes koncesioneve që janë dhënë nga PD është edhe ai i hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Basha premtoi rishikimin e këtyre kontratave. “Koncesioni i Valbonës do të shihet nga ana mjedisore për lejen e dhënë”, u shpreh ai, po në emisionin “Open”.

Nëse platforma antikorrupsion dhe kundër oligarkisë është “miratuar në heshtje”, por nuk ka ende një reagim nga Sali Berisha, për vettingun në politikë ai e ka dhënë një koment. Një qëndrim i ndryshëm duket se ekziston sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhje. Pak ditë më parë, Sali Berisha tha në studion e emisionit opinion se me të tilla kushte, opozita nuk ka asnjë mundësi që të fitojë përballë Edi Ramës.

“Sepse ai kontrollon të gjitha mjetet për t’i manipuluar zgjedhjet”, deklaronte ai.

Basha nuk përjashton mundësinë e manipulimit, por deri më tani është i bindur për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe tek fitorja, duke filluar që nga zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

“Opozita do të hyjë në zgjedhje dhe do të fitojë zgjedhjet lokale. Detyra jonë është që t’i japim fund grushtit të shtetit të qeverisë sot”, deklaroi Basha mbrëmjen e së hënës në intervistën dhënë për “Open”.

Për vettingun në politikë, Berisha e Basha ruajnë të njëjtin qëndrim duke e sfiduar Kryeministrin Edi Rama, ndërsa Basha nuk përjashton mundësinë e një akti ekstrem të opozitës nëse shumica bllokon nismën e opozitës për pastrimin e politikës.

“Nga ditët e ardhshme ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me qyetarët që të marrim një mendim dhe më pas një vendim nëse Edi Rama e bllokon vettingun në politikë. Por, nëse nuk pranohet projketligji, ne na lind detyra edhe që të djegim mandatet”, thotë Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë