Taksa

Oligarkët e kromit, asnjë lek për shqiptarët në buxhet

Nga Gazeta 'SI' - Kompanitë e nxjerrës së kromit në vend vetëm për vitin 2022, arkëtuan 31 mld lekë nga shitjet, prej të cilave shteti mori zero.

Përjashtimi i prodhuesve të kromit nga Renta Minerare për eksport, krijoi një boshllëk prej më shumë se 2 mld lekësh në buxhet.

Përtej fitimeve të majme, të rritura dhe nga kërkesa e jashtme për këtë produkt, kompanitë që zotërojnë pasuritë nëntokësore të Shqipërisë u favorizuat më tej dhe nga qeveria.

LEXO EDHE:
- Minatorët ndezin fitilin - A favorizon Samir Manen, ulja e rentës minerare
- Nafta, hekuri dhe kromi, produktet me vlerat më të mëdha të shitjes në industrinë shqiptare
- Qeveria ngrin për 3 vjet rentën minerare, dy vite më parë e rriti 9% se kromi në Shqipëri po mbaronte

Në vitin 2020, qeveria Rama 2 vendosi të zeronte taksën e eksportit për kromin dhe xeherorët e tij, pasi sektori ‘po vuante pasojat nga pandemia’. Atëherë, në relacionin e projektligjit, ministria e Financave argumentonte se ndikimi në buxhet do të ishte modest, vetëm 500 mln lekë. Kjo rezulton e pavërtetë.

Analisti i qendrës ALTAX, Eduart Gjokutaj, i cili i quan miliardat e munguara në arkë, si miliarda ‘të falura’, thotë se masa ka pasur ndikim negativ dhe në nivel bashkiak. Sipas përllogarive, dëmi në bashkitë të cilat kanë nën juridiksion miniera të kromit shkon nga 5 në 7 mln euro në vit.

Shifrat rekord të prodhimit dhe të ardhurave nga kromi

Sipas shifrave të INSTAT dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për kromin dhe koncentratet e tij (të përjashtuara nga Renta në eksport), shihet se në vitin 2021 është prodhuar 1.07 milionë tonë me një vlerë 22.4 miliardë lekë.  Në vitin 2022 prodhimi është rritur me 31% duke arritur 1.4 mln tonë me një vlerë shitje 30.96 miliardë lekë, rreth 40% më shumë se në 2021-shin.

Nga krahasimi midis 2022 dhe 2021 rezulton se ka 31% sasi prodhimi më shumë se viti i mëparshëm që janë shitur në treg me vlera 38% më të larta se viti i mëparshëm. (shifrat e vitit 2023 nuk janë ende publike.)

“Nga gjithë prodhimi i kromit për vitin 2022 janë eksportuar deri në 930 mijë  tonë, apo 66.5% e totalit të prodhuar nga minierat shqiptare. Nëse do të llogaritnim vlerën e rentës minerare, e zeruar nga viti 2021 deri në vitin 2023 për përpunimin e kromit brenda vendit duket se sasia prej 470 mijë tonësh që është tregtuar brenda vendit përbën rreth 2.1-2.3 miliard lekë “të falura” për tre vite radhazi, 2021 – 2023”, shpjegon për Gazetasi.al, Gjokutaj.

Ai tregon se në rastin e kromit, ulja e rentës nuk ka pasur ndikim në rritjen e prodhimit, por se ky treg është më shumti i ekspozuar ndaj trendeve në tregjet e jashtme. Gjithsesi, analisti thekson se ndryshimi në nivelet e rentës ndikon gjithmonë prodhimin e mineraleve, por prek më së shumti tregun e brendshëm, më i ekspozuar dhe ndaj evazionit.

Analisti Gjokutaj tregon më me detaje se ndër vite, nisur ga ndryshmet e Rentës në 2007-n, rezulton se rritja e saj shoqërohet me ulje te prodhimit të mineraleve të nikelit dhe gëlqerorëve për inerte, që janë edhe mineralet me peshën më të madhe në volumin vjetor të prodhimit gjithsej të mineraleve në vend.

“Në këtë krahasim të para dhe pas 2008 nuk janë konsideruar efektet qe vijnë nga evazioni si rrjedhojë e rritjes së rentës, apo për arsye tregu, ku tregu i brendshëm qe tregtohen disa minerale ka më shumë ndikim nga rritja e nivelit te rentës. Ndërkohë kromi apo bakri, duke u nisur nga ndikimi i kontratave jashtë vendit, si dhe kosto e përballueshme për shitje nuk është ndikuar direkt”, tregon Gjokutaj.

Ndryshimet e vitit 2020

Me arsyetimin se sektori po vuante pasojat e Covid-19 dhe ndërkohë tregu i jashtëm kërkonte produktin e kromit me vlerë të lartë, qeveria shqiptare propozoi zerimin e normës së Rentës Minerare në eksport për këtë mineral, duke ndihmuar kështu sektorin.

Punonjësit e minierave të kromit e quajtën këtë ligj favorizues dhe të padrejtë, që po bëhej në të mirë të biznesmenëve që drejtonin tashmë këtë sektor.

Ky vendim merr fund në janar të vitit 2024, ku përsëri norma e taksimit të kromit do të jetë e ulët. Sipas formulës me thyesa të ministrisë së Financave, në 2024-n e më tej, taksa për kromin do të jetë ‘1/3 e normës’. Norma për produktin krom është 6% dhe sipas thyesës 1/3 bëhet 2%.

“Përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar është në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 në masën 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në fund të vitit 2023 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2024 e në vijim”.

Gazetasi.al komunikoi dhe me ish-drejtorin e Tatimeve, Artur Papajani, i cili tha se me ligjin e 2020-s, qeveria shqiptare ka shkelur një ndër parimet kryesore të detyrimit tatimor.

“Diferencimet, përjashtimet për një apo disa aktivitete, cenojnë parimin e barazisë, një ndër katër parimet kryesore të vendosjes e mbledhjes së detyrimeve tatimore. Ky rregull vepron që nga koha e Adam Smithit ,që u emërtuan e pranuan nga ekonomistët si katër ‘Kanonet e famshme të Adam Smithit’”, u shpreh Papajani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë