Treg

Nafta, hekuri dhe kromi, produktet me vlerat më të mëdha të shitjes në industrinë shqiptare

Nga Gazeta 'Si'-Të dhënat e INSTAT në publikimin për herë të parë të Anketës së Produkteve Industriale, tregojnë se gjatë vitit të shkuar, prodhimi i naftës, hekurit dhe kromit ishte në rritje.

Gjatë 2022-shit është prodhuar 902.064 ton naftë nga 697.662 tonë që ishte prodhuar në vitin 2021.

Prodhimi i hekurit bruto dhe forma të tjera primare në vitin 2022 shënoi vlerën 808.983 tonë nga 773.668 tonë të prodhuar një vit më parë. Edhe prodhimi i xeherorëve dhe koncentrateve të kromit ishte në rritje ku nga 1.068.729 tonë të prodhuar në vitin 2021, vitin e shkuar është prodhuar 1.399.017.

Vlera e shitjeve për naftën vitin e shkuar ishte 44.8 miliardë lekë, nga 34.2 miliardë lekë krahasuar me vitin paraardhës, duke u rritur me 31.2%.

Për hekurin vlera e shitjeve u rrit me 4.3% duke arritur nivelin e 32.6 mld lekëve nga 31.3 mld lekë që ishte në 2021-shin. Ndërsa vlera e shitjeve për produktin xeherorë dhe koncentrate të kromit gjatë 2022-shit arriti 30.9 miliardë lekë nga 22.4 milionë lekë që ishte në 2021-shin, duke u rritur me 38.2%.

Për nga sasia e prodhimit kryesore ishin pijet joalkoolike dhe këpucët.

Vitin e shkuar metalurgjia zuri 14.7% të vlerës së shitjeve gjithsej të produkteve industriale nga 14.8% që zinte vitin paraardhës.

Përpunimi i produkteve ushqimore zuri 11.5% të shitjeve gjithsej gjatë vitit të shkuar nga 11.8% ndërsa nxjerrja e naftës bruto zuri 11.2% të shitjeve nga 9.8% që zinte në 2021-shin.

INSTAT njoftoi se vrojtimi mbi produktet industriale kryhet me frekuencë vjetore pranë ndërmarrjeve të industrisë nxjerrëse dhe përpunuese dhe ka si qëllim të ofrojë informacion mbi prodhimin dhe shitjen e produkteve industriale të realizuara nga ndërmarrjet që kryejnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë