Analize

OKB vë Turqinë përballë akuzave për krime lufte

Forcat e mbështetura nga turqit që luftojnë milicitë kurde në veri-lindje të Sirisë janë akuzuar për kryerje të krimeve të luftës, me akte brutaliteti që janë shfaqur këto ditë në disa video në rrjetet sociale. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Turqia mund të konsiderohet përgjegjëse për veprimet e aleatëve të saj, ndërkohë që lidhur me këto akuza Turqia ka premtuar se do të hetojë.
Në njërën prej këtyre videove, disa persona të armatosur shfaqen duke thirru “Allahu Ekber”, ndërsa një tjetër regjistron gjithçka në smartfonin e tij duke thënë: "Ne jemi muxhahedinë nga batalioni Faylaq Al-Majd (Trupat e Lavdisë)". Në sfond të tyre, janë kufomat e luftëtarëve kurdë. Pak më larg, një grup burrash të tjerë shkelmojnë trupin e një gruaje të gjakosur. Njëri prej tyre thotë se ajo është një “kurvë”. Pamjet e tmerrshme janë njësoj si ato të prodhuara nga grupi ultra i dhunshëm i Shtetit Islamik (IS).
Megjithatë burrat në këto video nuk janë militantë të IS, por përkundrazi, luftëtarë për një aleancë rebele të njohur si Ushtria Kombëtare Siriane, të trajnuar, pajisur dhe paguar nga një anëtar i NATO-s, Turqia. Ata janë nën komandën e ushtrisë turke. Videoja është filmuar më 21 tetor në veri të Sirisë. Gruaja që shkelmojnë këta luftëtarë është Amara Renas, anëtare e një njësie luftëtaresh kurde, YPJ, një forcë që luajti një rol të rëndësishëm në mposhtjen e IS në Siri.

Amara Renas, anëtare e njësisë YPJ, e vrarë në sulmet e fundit turke kundër forcave kurde në Siri. Gazeta "Si", 3 nëntor 2019

Amara u vra në sulmet e fundit turke kundër forcave kurde në Siri.
Më 9 tetor ushtria turke dhe rebelët sirianë pro-turq sulmuan Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, menjëherë pasi Donald Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqte trupat amerikane nga Siria. Luftëtarët SDF patën qenë një aleat shumë i efektshëm dhe i besueshëm i koalicionit të udhëhequr nga SHBA dhe çuan në humbjen e Shtetit Islamik në terren. Grupi thotë se ai gjithashtu siguroi burime të inteligjencës që çuan javën e kaluar në vrasjen e liderit të ISIS, Abu Bakr al-Bagdadi.
Kërcënime me video
Disa ditë pas sulmeve të Turqisë, në media sociale u shfaqën video të shumta që pretendohet se janë filmuar nga rebelët pro-Turqisë. Në një prej tyre, një luftëtar i paidentifikuar bërtet në arabisht: "Ne kemi ardhur për t'ju prerë juve të pabesëve!" Në një tjetër video, një rebel i maskuar dhe i veshur me të zeza mban një grua të tmerruar të rrethuar nga rebelë të tjerë, ndërsa thotë: "Merreni dhe prijani kokën!". Ajo grua e kapur është Cicek Kobane, një tjetër luftëtare e YPJ. Videoja që qarkulloi gjerësisht provokoi zemërim në mediat sociale. Disa ditë pasi u botua, TV shtetëror turk tregoi se Cicek Kobane po trajtohej në një spital në Turqi.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se disa prej veprimeve në këto video ndoshta përbëjnë krime lufte. "Shumë njerëz u larguan sepse ishin shumë të shqetësuar për forcat e opozitës siriane të mbështetura nga Turqia," i tha Kongresit James James Jeffrey, i dërguari special i SHBA për Sirinë. "Mund të them se forcat e opozitës siriane të mbështetura nga Turqia që ishin nën komandën e përgjithshme turke, të paktën në një rast kryen krime lufte", deklaroi ai.
Pikëkalimet
Turqia është akuzuar prej kohësh se ka ndërmarrë pak veprime kundër xhihadistëve në Siri.
"Kur unë drejtoja fushatën kundr ISIS-it, që kishte 40,000 luftëtarë të huaj, xhihadistë nga 110 vende të botës; të gjithë hynë në Siri për të luftuar përmes Turqisë," u shpreh muajin e kaluar për CNN, Brett McGurk, ish i të dërguari special i SHBA në koalicionin kundër Shtetit Islamik. Ai u shpreh se ishte përpjekur të bindte Turqinë që të “vuloste” kufirin e saj kundër Shtetit Islamik. "Ata më thanë se nuk mund ta bënin këtë, por në çastin kur kurdët nisën të merrnin pjesë të kufirit, ai është plotësisht i mbyllur si me një mur”, tha McGurk.

Hartë shpjeguese e situatës ushtarake në kufirin Turqi-Siri. Gazeta "Si", 3 nëntor 2019

Ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se kanë kërkuar një shpjegim nga Turqia lidhur me dyshimet për krime lufte nga rebelët.
Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit turk, tha se Turqia do të hetojë çdo krim të dyshuar të luftës. Por shumë aktivistë kurdë afërmendsh që nuk kanë besim në qeverinë ose ushtrinë turke. Njëri prej tyre, Kamran Matin, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Sussex, thotë se "ka prova të forta që gjatë katër dekadave të fundit, forcat ushtarake dhe të sigurisë turke kanë kryer në mënyrë sistematike krime lufte dhe kanë shkelur të drejtat e njeriut në konfliktin e tyre me PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde në Turqi prej dekadash)".
Duke bërë një sy qorr
Gjatë dekadës së kaluar, imazhe dhe video të shumta që pretendohet se janë filmuar nga ushtria turke dhe forcat e sigurisë dokumentojnë vrasjen e disidentëve kurdë të kapur në Turqi. Në një video të botuar disa vjet më parë, ushtarë të dyshuar si turq, u prenë kokën disa militantëve të PKK. Në një video tjetër, dy luftëtare femra të PKK me duart e tyre të lidhura pas shpinës, shikoheshin teksa qëndronin ulur mbi një shkëmb, për t’u vrarë brutalisht më pas me breshëri mitralozi. Në tetor 2015, një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale tregonte se si forcat turke të sigurisë po tërhiqnin trupin e aktorit 24-vjeçar Haci Lokman Birlik nëpër rrugët e Sirnak, një qytet kurd në jug-lindje të Turqisë, me një litar rreth qafës. Një pjesë e videos duket se është filmuar nga brenda automjetit të policisë. Zyrtarët turq mohuan çdo lidhje me aktin.
Aktivistët kurdë për të drejtat e njeriut kanë akuzuar SHBA dhe BE se nuk kanë arritur të dënojnë Turqinë ose të ndërmarrin ndonjë veprim efektiv ndëshkues. "BE bëri një sy qorr ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Turqi, për shkak të anëtarësimit të Turqisë në NATO, lidhjeve ekonomike dhe frikës së një reagimi mes miliona turqve që jetojnë në vendet evropiane, veçanërisht në Gjermani," thotë aktivisti Kamran Matin.
“Pasi filloi lufta civile në Siri, një faktor i ri "kufizoi” reagimin e vendeve evropiane ndaj shkeljes së rëndë të Turqisë të të drejtave të njeriut, refugjatët sirianë. Dhe, presidenti turk Erdogan në mënyrë të përsëritur kërcënoi përmbytjen e Evropës me ta", shprehet Matin.
Dhe kjo, sipas tij, duket se është diçka që vendet evropiane duan të shmangin, pavarësisht cila mund të jetë kostoja. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë