Lajme

OKB s’ka para për rrogat, Guterres: Faji i vendeve anëtare

Arka e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të mbetet bosh në fund të këtij muaji, duke rrezikuar që në nëntor pagat për 37 mijë punonjësit e saj të mos derdhen në kohë.

Alarmi është dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përmes një letre të shpërndarë ditën e hënë për të gjithë administratën e organizatës. Letra është siguruar nga agjencia e lajmeve AFP.

Sipas AFP-së, në të Guterres thotë vendet anëtare kanë derdhur deri më tani vetëm 70 për qind të shumës së nevojshme për buxhetin e 2019, që do të thotë se paratë mjaftonin për të mbuluar shpenzimet operacionale të OKB-së deri në muajin shtator.

“Kjo do thotë se në fund të këtij muaji rrezikojmë që të përfundojmë të gjitha rezervat që kemi”, thuhet në letrën e Guterres.

Shuma që nevojitet për të përmbyllur këtë vit përllogaritet në rreth 209 milionë euro. Si masa paraprake, Guterres paralajmëroi shtyrjen e konferencave dhe samiteve, reduktimin e shërbimeve dhe kufizimin e udhëtimeve.

“Përgjegjësia për këtë situatë bie e gjitha mbi vendet anëtare”, deklaron Guterres.

Buxheti i OKB-së për 2018-2019 shkon afër 5 miliardë euro, pa përllogaritur këtu shpenzimet për misionet paqeruajtëse, që kjo organizatë drejton kryesisht në vendet afrikane. SHBA është kontribuesi më i madh me 22 për qind, por mbetet ende e paqartë nëse Uashingtoni ka derdhur të gjithë këtë shumë apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë