Ne rrjet

OKB: Luftimet mund të shkaktojnë largimin e 800 mijë njerëzve nga Sudani

Luftimet në Sudan midis dy fraksioneve ushtarake mund të detyrojnë largimin e më shumë se 800 mijë njerëzve nga vendi, paralajmëruan zyrtarë të OKB-së të hënën, ndërsa të dy palët vazhduan përleshjet mes tyre pavarësisht zgjatjes së një armëpushimi tjetër tre ditor.

Nënkryetari i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Raouf Mazou, tha të hënën se agjencia e refugjatëve po përgatitej për zhvendosjen e 815 mijë njerëzve nga Sudani në shtatë vende fqinje.

Rreth 73 mijë njerëz tashmë janë larguar nga Sudani, tha ai.

Kreu i UNHCR-së, Filippo Grandi, tha në një postim në Twitter të hënën se agjencia shpreson që shifrat e saj të planifikimit në fund do të jenë shumë të larta, por tha se "nëse dhuna nuk ndalet, do të shohim largimin e më shumë njerëzve nga Sudani".

Banorët në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, dhe qytetet e tij fqinje, raportuan se dëgjuan sulme ajrore dhe zjarr artilerie të hënën, pavarësisht marrëveshjes së arritur të dielën për zgjatjen e armëpushimit për 72 orë të tjera.

Një numër armëpushimesh të përkohshme shpesh janë shkelur nga të dyja palët. Armëpushimet u vendosën nga dy fraksionet ndërluftuese për të lejuar kalimin e sigurt të njerëzve dhe për të krijuar kushtet për arritjen e ndihmave humanitare në vend. Megjithatë, ndërsa luftimet janë zbutur në disa pjesë të kryeqytetit, luftimet e ashpra kanë vazhduar në rajone të tjera. Palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Zyrtari i lartë i OKB-së në Sudan, Volker Perthes, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të hënën se gjeneralët e palëve ndërluftuese të Sudanit kanë rënë dakord të dërgojnë përfaqësues, ndoshta në Arabinë Saudite, për negociata.

Ambasadori sudanez në Shtetet e Bashkuara, Mohamed Abdalla Idris, i tha Zërit të Amerikës se shpreson që armëpushimi përfundimisht do të çojë në bisedime domethënëse afatgjata të paqes.

Më shumë se 500 njerëz njoftohet se janë vrarë që nga fillimi i luftimeve më 15 prill mes shefit të ushtrisë së Sudanit Abdel Fattah al Burhan dhe gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo, i cili drejton Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë. Dy gjeneralët kanë qenë aleatë në qeverinë kalimtare të Sudanit, të krijuar pas një grushti shteti të vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë