Mjedis

OKB-ja bën thirrje për ‘marrëveshje paqeje me natyrën’

“Njerëzimi është bërë një armë e zhdukjes masive”, ka paralajmëruar Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Qeveritë janë mbledhur në Montreal për të rënë dakord për objektivat për të rikthyer humbjen e natyrës. Guterres bëri të ditur se bota ka një shans për të ndaluar shkatërrimin që ka vënë një milion specie në rrezik zhdukjeje.

“Ne po bëjmë luftë kundër natyrës. Kjo konferencë ka të bëjë me detyrën urgjente për të bërë paqe. Sepse sot ne jemi jashtë harmonisë me natyrën. Varësia jonë ndaj lëndëve djegëse fosile e ka futur planetin në kaos nga valët e të nxehtit dhe zjarret të nxitura nga e thatësira. Ne po e trajtojmë natyrën si një tualet dhe në fund po bëjmë vetëvrasje. Për shkak të humbjes së natyrës, kemi një kosto të madhe njerëzore, një kosto që ne e masim në punë të humbura, uri, sëmundje dhe vdekje”, ka thënë Guterres.

Në Montreal afro 200 vende do të përpiqen të bien dakord për një mënyrë për t’i dhënë fund shkatërrimit.  Deri në 40% të sipërfaqeve tokësore konsiderohen të degraduara, sipas një vlerësimi të 2022 të OKB-së.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau në samit shtoi se ka shumë mosmarrëveshje midis qeverive, por nëse palët nuk mund të pajtohen për diçka kaq thelbësore sa mbrojtja e natyrës, asgjë tjetër nuk ka rëndësi.

Negociatorët shpresojnë që samiti dy-javor i OKB-së të sjellë një marrëveshje që do e pranojnë të gjitha 196 qeveritë sipas Konventës së OKB-së për Diversitetin Biologjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë