Njerez

OKB e shqetësuar për planin e Britanisë për emigrantët

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i ka shprehur shqetësimet e tij qeverisë britanike për projektligjin e emigracionit. Për qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, është prioritet ndalimi i mbërritjes së emigrantëve të paligjshëm përtej Kanalit.

Për këtë qëllim, në prill u miratua një projektligj i rreptë që parashikon arrestimin e menjëhershëm të emigrantëve që mbërrijnë në Britani ilegalisht me varka dhe deportimin e tyre ose në vendet e tyre të origjinës ose në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta si Ruanda.

“Ne jemi të shqetësuar për sa i përket ligjit ndërkombëtar të emigracionit, sepse në thelb i ndalon njerëzit të kërkojnë azil në Britani”, vuri në dukje Turk në një intervistë.

Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se po punojnë me Komisionin e Lartë në lidhje me Projektligjin e emigrimit të paligjshëm, ndërsa shtoi se ai është i bindur se masat e parashikuara në të, përfshirë deportimine emigrantëve në Ruandë, janë të ligjshme dhe sipas konventës së OKB-së për refugjatët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë