Rend dhe Ligj

OFL u dërgon kërkesë dy të dënuarve për vrasje

Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar kërkesë këtë të martë për vetëdeklarim të pasurisë një të dënuari në Lezhë dhe një tjetri në Tiranë, të dy të dënuar për vrasje.

Bëhet fjalë për Eljon Haton, banues në Lezhë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Eljon Hato ka qenë i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-Bllokut në vitin 2018, ku mbeti i vrarë një person. Eljon Hato mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal “Monopol” ku u vra Fabiol Gaxha.

Hato rezulton person me precedentë penalë. Më 12 maj të vitit 2014, Eljon Hato nën efektin e alkoolit ka vrarë një moshatarin e tij pas një sherri banal.

Po ashtu i është dërguar kërkesë Ilir Selmanit, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ilir Selmani është pjesë e grupit që akuzohet se ka kryer ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko.

Zëdhënësja e OFL tha se brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më tej, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë