Rend dhe Ligj

OFL shënjestron tre të dënuar në Lezhë, njëri prej tyre ish-oficer i Forcave Speciale

Operacioni Forca e Ligjit ka shënjestruar këtë të premte 3 të dënuar në Lezhë, të cilëve u ka kërkuar që të deklarojnë pasurinë brenda 24 orëve. 

Kërkesa për deklarimin e pasurisë i është dërguar Gëzim Çelajt, Arben Prendit dhe Perikli Markut.

Gëzim Çela të cilit i është kërkuar pasuria, njihet si “bos i trafikut ndërkombëtar të drogës”, që kishte origjinën nga vendet e Lindjes së Mesme, kalonte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore. Më 2015, ai akuzohej për trafik ndërkombëtar të kokainës.

Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi Erald Hysolli me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë. Kurse gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa. Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentin se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.

Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.

Po ashtu edhe Arben Prendi, banues në Lezhë, është i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ndërsa mbi Perikli Markun rëndon vepra penale “Vrasja në rrethana cilësuese”; 

Siç njofton zëdhënësja e OFL-së, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. 

Ndër të tjera, zëdhënësja thotë se “OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë