Rend dhe Ligj

OFL shënjestron dy të dënuar në Shkodër, mes tyre Enver Bajri

Operacioni Forca e Ligjit u ka kërkuar burimin e pasurisë dy personazheve të tjerë të botës së krimit, pjesëtarë të bandës kriminale të Bajrajve në Shkodër.

OFL u ka dërguar kërkesë me shkrim për dorëzimin e pasurisë Enver Bajrit dhe Emrah Plakut, të dy banues në Shkodër, të dënuar për vepra të rënda kriminale, si shfrytëzim prostitucioni, grup i strukturuar kriminal apo shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie.

Enver Bajri është kreu i grupit kriminal “Bajri” që ka qenë shumë aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës.

Bajri është person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, Gjykata e Bolonjës (Itali) e ka dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni, e kryer në bashkëpunim”.

Ndërsa Emrah Plakut Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Zëdhënësja e OFL thotë se këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë