Rend dhe Ligj

OFL shënjestron 5 të dënuar në Jug

Operacioni Forca e Ligjit ka zbritur këtë të enjte në jug të vendit duke iu kërkuar burimet e pasurisë 5 personave të dënuar për krime të rënda si vjedhje me armë, rrëmbim personi, vrasje kundër dy ose më shumë personave dhe prodhim e trafik droge.

Kërkesa për deklarim pasurie u është dërguar shtetasve:

– Krenar Skënduli, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

– Gentian Sinomema, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim;

– Adriatik Kanushi, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim;

– Endrik Lluka, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

– Ervis Canka, banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Siç njofton policia, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera, zëdhënësja thotë se “OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë