Rend dhe Ligj

OFL shënjestron 4 të dënuar në Berat dhe Poliçan

Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar kërkesë me shkrim për deklarimin e pasurisë 4 të dënuarve të tjerë në Berat dhe Poliçan.

Bëhet fjalë për Myrteza Toto, banues në Berat, i dënuar me vendim të Gjykatës Penale të Veronës, Itali, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat.

Kërkesa i është dërguar edhe Edison Begës, banues në Berat, i dënuar në Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni me të mitur dhe të rritur”, “Favorizim prostitucioni me të mitur dhe të rritur” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me vendim të njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat.

Donald Lavdarit, banues në Poliçan, i është dërguar kërkesa, pasi është në ndjekje gjyqësore nga autoritetet spanjolle, për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike”.

Po ashtu i është dërguar kërkesa edhe Aleks Priftit, banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim.

Siç njofton zëdhënësja, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë