Politike

OFL i kërkon pasurinë të kërkuarit për vrasjen e gardistëve në ’97-ën, PD: Qesharake

Operacioni Forca e Ligjit i dorëzoi këtë të martë formularin e deklarimit të pasurisë shtetasi Llazar Bicja, lindur në Cërrik, por që është në kërkim prej vitesh si i dënuar për ngjarjen e bujshme të 1997-ës ku u sulmua autokolona e Gardës së Republikës, e për pasojë mbetën të vrarë 6 gardistë dhe u plagosën 22 të tjerë.

Partia Demokratike e cilëson këtë veprim të Policisë së Shtetit dëshmi se ajo është shndërruar në qesharake.

“OFL po vepron si një grup kllounësh, që tallen me ligjin dhe me qytetarët. Kjo që kanë bërë në Cërrik me gjoja pasurinë e Llazar Bicjes është vetëm një shfaqje e turpshme. Ky është një nga vrasësit e gardistëve në 97-ën. Prej atëherë jeton në arrati, nuk e ka vuajtur kurrë dënimin. Në vend që ta gjejë dhe ta çojë para drejtësisë, OFL i kërkon burimin e pasurisë një vrasësi në arrati, duke u bërë një trupë qesharake dhe joserioze”, deklaron ish-deputeti i PD, Endri Hasa.

Opozita thotë se kjo është edhe dëshmi se Policia e Shtetit nuk është më një institucion i besueshëm në sy të qytetarëve dhe nuk mund të pritet prej saj që të veprojë në zbatim të ligjit.

“Shqipëria e Edi Ramës është vendi i vetëm në botë ku policia është e pamëshirshme, kur vjen fjala për të shembur Teatrin dhe bën teatër me rendin dhe zbatimin e ligjit”, mbyll reagimin e tij ish-deputeti Hasa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë