Ekonomi

OECD: Vaksina kundër virusit jep shpresë për rimëkëmbjen e ekonomisë

Zhvillimet e fundit në lidhje me vaksinat për Covid-19, ofrojnë dritë shprese për ekonominë globale, tha OECD të martën, por paralajmëroi se kishte shumë gracka të mundshme në rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia.

Duke publikuar parashikimet e saj më të fundit për ekonominë botërore, organizata ndërkombëtare me bazë në Paris parashikoi një rikthim të forte në 2021 nga recesioni historik global i këtij viti, por tha se ekonomia botërore nuk do të rimarrë plotësisht prodhimin e humbur deri në fund të vitit të ardhshëm.

"Ne jemi akoma në mes të krizës më të keqe, por tani ka shpresë", tha Laurence Boone, kryekonomist i OECD. "Sfida është se si të dalësh nga situata shpejt dhe me sa më pak dëm të jetë e mundur."

Në muajt në vazhdim, do të jetë më e rëndësishme për vendet që të përshpejtojnë shpërndarjen e vaksinave dhe sistemet efektive të provave, gjurmimit dhe izolimit në mënyrë që kufizimet në aktivitet ekonomike të tërhiqen gradualisht, tha OECD. Vendet që e arrijnë këtë më me sukses "ka të ngjarë të performojnë relativisht mirë [ekonomikisht]", parashikoi ajo.

Deri në fund të vitit të ardhshëm, parashikimet tregojnë se ekonomia e Kinës pritet të jetë gati 10 përqind më e madhe se në fund të vitit 2019 si rezultat i përgjigjes së saj të suksesshme mjekësore dhe ekonomike ndaj pandemisë, me Korenë e Jugut dhe Indonezinë gjithashtu që performojnë mirë .

Performanca ekonomike në të dy anët e Atlantikut mbetet dukshëm pas këtyre vendeve aziatike, por SHBA-të pritet të rimarrin prodhimin e humbur deri në fund të vitit të ardhshëm, pavarësisht shkallës së lartë të tanishme të infeksionit.

Europa do të performojë më keq, parashikoi OECD: nga ekonomitë e mëdha të kontinentit vetëm Gjermania do t'i afrohet rifitimit të nivelit të saj para-pandemisë- ekonomia e saj pritet të jetë 1.7 përqind më e vogël në tremujorin e fundit të 2021 sesa periudha e njëjtë në 2019.

Vendet në të cilat pandemia shpuri në bllokime të gjata, do të performojnë më keq, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ku OECD pret që prodhimi të jetë më shumë se 6 përqind më i ulët në fund të vitit të ardhshëm sesa niveli i tij parapandemik dhe Argjentina, e cila do të ketë humbur gati 8 përqind të prodhimit.

Edhe nëse rimëkëmbja globale materializohet, ekonomia botërore do të jetë ende 5 përqind më e vogël në fund të vitit 2021 sesa kishte parashikuar OECD një vit më parë - një tregues i qartë i rritjes së humbjeve për shkak të pandemisë dhe standardeve më të ulëta të jetesës si papunësia dhe pabarazia më e madhe e shkaktuar pasi perspektivat ekonomike të të varfërve dhe të rinjve goditen më rëndë.

OECD tha që qeveritë duhet të vazhdojnë të mbështesin popullatat e tyre kur është e mundur me një politikë fiskale më të çliruar dhe asnjë përpjekje të menjëhershme për të ulur deficitet buxhetore për sa kohë që shpenzimet ishin "me kosto-efektive".

Megjithatë, zonja Boone vuri në dukje se "një tipar i habitshëm i perspektivës është mungesa e korrelacionit midis masës së mbështetjes fiskale dhe performancës ekonomike që e ndjek" - kjo sugjeron "jo të gjitha masat janë përdorur me mençuri".

Kur shpenzimet qeveritare janë përdorur në mënyrë efektive, nivelet e larta të borxhit publik nuk duhet të jenë shkak për alarm sepse kostot e shërbimit të borxhit janë të ulëta, tha OECD.

Një fushë e rëndësishme ku duhet të përqendrohen shpenzimet është në kapërcimin e hendeqeve dixhitale brenda dhe midis vendeve, rekomandon raporti. Pandemia ka ekspozuar pamundësinë e sistemeve arsimore në shumë vende për të funksionuar në distancë përmes lidhjes video.

Një prioritet tjetër duhet të jetë ndihma për ata që kanë humbur vendin e punës për të gjetur punë të re. Vendet si Hollanda dhe ato Skandinave ishin shembuj ku ka pasur sukses në këto fusha, tha OECD.

Organizata vuri në dukje mungesën e bashkëpunimit ekonomik global dhe tha se veprimi ndërkombëtar kishte qenë më pak i rëndësishëm sesa gjatë krizës financiare globale të 2008-09, për të cilën zonja Boone tha se "shkaktoi një përgjigje të paparë bashkëpunimi".

Në kontrast, tha ajo, "pandemia është kriza e parë plotësisht globale që nga Lufta e Dytë Botërore [dhe] ka marrë përgjigje masive kombëtare, por mbylli kufijtë dhe pati bashkëpunim të paktë".

"Prodhimi dhe shpërndarja e gjerë, e shpejtë dhe bujare e trajtimeve efektive mjekësore dhe vaksinave duhet të organizohet për të gjitha vendet" për të ndihmuar ekonominë globale të rimëkëmbet nga pandemia, tha ajo. /Financial Times /Në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë