Odise Roshi pritet t’i japë fund aventurës ruse dhe të transferohet në kampionatin hungarez, ku luan edhe lojtari tjetër i Kombëtares, Myrto Uzuni. Por, nëse beratasi ka firmosur për një skuadër me emër të madh si Ferencvaroshi, që kryeson bindshëm kampionatin, Roshi do të firmosë për ekipin e VTK Diosgiori, që aktualisht renditet në vend të fundit.
Mesfushori fierak do të largohet nga Akhmat Grozni pas 5 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe Roshi ka qenë protagonist me lojën e tij dhe me gola, por gjatë këtij sezoni ai ka pasur më pak hapësira, çka e ka bërë të kërkojë skuadër të re. Marrëveshja është arritur me drejtuesit e ekipit hungarez dhe pritet vetëm zyrtarizimi i firmës.
Para se të shkonte në Rusi, Roshi ka provuar të luajë edhe ë kampionatin gjerman me Këlnin, por edhe në Kroaci. Për Kombëtaren ai ka qenë gjithmonë një lojtar i rëndësishëm gjatë këtyre viteve dhe me një aktivizim më të rregullt me skuadrën e re, mund të jetë në formë optimale për kualifikueset e Botërorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.