Politike

O’Brien, liderëve të Ballkanit: Me planin e BE-së, askush nuk mund të pengojë një palë në avancim

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.

Ai i ka bërë këto deklarata të hënën në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit".

O’Brien ka thënë se mbështetet nismën e një tregu të lirë mes vendeve të rajonit, duke përmendur pengesat që kanë pasur deri më tani bizneset nga ndalesat e shumta kufitare.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara.

“Ne i kemi përveshur mëngët që t’ju ndihmojmë. Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin. Pikërisht, logjika thotë se ne do t’ju ndihmojmë që të integroheni mes vete, nëse ju integroheni në tregun e brendshëm. Vlerësoj se kjo është e një rëndësie absolute, sepse pa një integrim të tillë në rajon, ju thjesht nuk do të mund të shfrytëzoni mjaftueshëm përfitimet nga tregu i brendshëm. Këto janë dy çështje që shkojnë bashkë andaj kemi vendosur një kusht në këtë plan të rritjes e që thotë se ju nuk duhet të bllokoni fqinjët e juaj. Duam të vini me ne. Nëse nuk i bllokoni fqinjët, do t’ju pranojmë, por nëse i bllokoni atëherë nuk do të kemi qasje në tregun e brendshëm, pasi shpenzimet e brendshme nga mosbashkëpunimi janë shumë të mëdha”, ka deklaruar Kopman në konferencë.

Kryeministri Kovaçevski, ka paralajmëruar miratimin e një deklarate në fund.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se takimet e këtilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.

Vuçiç ka përmendur se në takimin e të hënës në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, duke theksuar se për ato politike ka dallime të mëdha.

Sipas tij, Serbia tashmë ka prezantuar projektet që kanë të bëjnë me projektet ekonomike në kuadër të planit evropian për rritjen ekonomike.

“Sa i përket Serbisë ne e kemi prezantuar planin tonë për rritjen ekonomike për tre vjetët e ardhshëm dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë