Njerez

Nusret Gjokaj (NUKI), artisti që tejkalon gjeneratën

Nga Jeta Deda- NUKI siç të gjithë e njohin ose Nusret Gjokaj (Gjokoviq), është pa dyshim një ndër të diplomuarit më të talentuar të Universitetit të Arteve në Tiranë në degën multimedia. Si ndër më punëtorët, vullnetplotët e moshës së vet e në kërkim të së bukurës e artistikes te realiteti, Gjokaj është ndër të vetmit artistë të rinj që kanë gjetur mundësinë e ajo i ka gjetur mbrapsht për të kontribuuar në pasurinë e artit e multimedias. I lindur në Mal të Zi, por i edukuar në Shqipëri, ka paraqitur punët e tij në ekspozita të shumta nëpër botë, në SHBA, Mal të Zi, Greqi, Itali, Rusi e po kështu edhe në Tiranë. Nukit mund t’i përmendim pjesëmarrje të shumta, por ato që kujtojmë nga gjithë ajo mori janë ato në Festivalin e Artit Pamor PAMUR 2014 në Tiranë, hapjen e ekspozitës personale multimediale “I translate” në Tuz (Mal i Zi) me, pjesëmarrjet e suksesshme në video-dokumentarët e Konkursit Mediatik “Rrathë” nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë me “Loti i Nënës” e “Përtej kufirit”, etj.

Po kështu “Gratë si trimat dhe trimat si gratë” veç koherencës që ka si punim për figurën e femrës në shoqërinë e kohës, ka patjetër edhe një lloj treni kohor që na transporton tek kontributi i gruas dhe roli i saj në çështjen shqiptare e në edukimin patriotik në vazhdën e kohës.

Prodhimi multimedial “Çobanët” me luftën në bjeshkë e brirët e krijuara të një mjedisi që klima e vetmia i detyron të përpiqen të ngrejnë zërin veç në luginat malësore, ka qenë punimi më i pëlqyer i ekspozimeve të artistit. Duke qenë se Nuki është si orë që nuk pushon së krijuari e punuari mbi idetë e veta, kam pasur rastin të jem e pranishme në një prej ekspozitave të tij, në ambient të hapur (një kryqëzim në zonën e Bllokut në Tiranë) me titullin “Who killed the saint?” (Kush e vrau shenjtërinë?), ku dëshmova emocionin e të rinjve dhe pashë përdëllim në sytë e profesorëve të vet, ku patjetër dallon mentori i disahershëm i Nukit në punimet e veta, pedagogu Edison Çeraj dhe influenca formuese e tij.

Nuki ka punuar në videoart, instalacion, fotografi, kolazh. Së fundi, ka punuar për një produksion filmik amerikan në Hollywood, ku është angazhuar me asistencën e skenografisë dhe ka realizuar në interiere e terren për të përshtatur skenat me jetesën e viteve ’20, duke na dërguar në fotografimin iluzional të asaj kohe që trupëzohet në film.

Sa serioz me të shkuarën, aq dhe ironik është me të tashmet e kjo vërehet qartë në punimet “Gurët postmodernë” dhe “Pël lumbat” nga Nuki që është një karakter thellësisht i ndjeshëm e që ka krijuar eposin e vet, si pasardhës kreshnikësh të moçëm.

Për më tepër, ju paraqesim një fotogaleri dhe video të realizuara nga ky artist që jo vetëm premton, por gjithnjë realizon e tejkalon veten dhe gjeneratën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë