Biznes

Numri i bizneseve në Shqipëri në rënie që prej katër vitesh

INSTAT ka raportuar se për 2019 në Shqipëri numri i bizneseve ka rënë krahasimisht me një vit më parë dhe për të katërtin vit radhazi.

Sipas INSTAT, regjistri i ndërmarrjeve në fund të vitit 2019 numëron 162.342 ndërmarrje aktive, numër pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar. Deri në fund të vitit 2019 numërohen 44.473 fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm, NIPT.

Për vitin 2019 numri i bizneseve, pa përfshirë fermerët, ishte më pak se 118 mijë duke rënë me 3.5% krahasuar me vitin 2018. Po ashtu  numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara gjatë vitit 2019 pësoi rënie në rreth 17 500 ose rreth 3 mijë më pak krahasuar me vitin 2018.

Ndërmarrjet tregtare zënë 23,0 % të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2019, krahasuar me 23,2 % të regjistruara gjatë vitit 2018.

Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë 1,2 % të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 47,8 % në vitin 2019 nga 48,1 % në vitin 2018.

Nga të dhënat rezulton se pjesa më e madhe e sektorëve ekonomikë kanë pësuar tkurrje të numrit të bizneseve aktivë, duke filluar nga tregtia dhe industria.

Numri i ndërmarrjeve tregtare u tkurr me rreth 2 300 vitin e kaluar, duke vijuar tendencën rënëse të viteve të fundit.

Në katër vitet e fundit, numri i bizneseve tregtare është pakësuar me afërsisht 7 mijë mijë që prej vitit 2016.

Tendenca rënëse është shfaqur në industri, vitin e kaluar u regjistruan afërsisht 600 biznese më pak, në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve, rezultojnë pothuajse dy mijë biznese aktive më pak krahasuar me vitin 2018.

Rritje të lehtë të numrit të bizneseve shënoi për të dytin vit radhazi sektori i ndërtimi, si edhe telekomunikacionet dhe shërbimet e tjera.

Sipas INSTAT, në bashkinë Tiranë janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në bashkinë Pustec shënohet numri më i ulët.

Gratë menaxhojnë 25,4 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej, krahasuar me 25,7 % gjatë vitit 2018. Qarku I Tiranës ka edhe përqëndrimin më të madh të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, me 32,4 %.

Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar, të cilat zënë 90,5 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 20,3 % të ndërmarrjeve.

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 4,0 % të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,8 % në vitin 2018 dhe punësojnë 11,9 % të të punësuarve gjithsej.

Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 65,3 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 53,4 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 77,1 %

Në fund të vitit 2019 regjistrohen 172.296 njësi lokale nga të cilat 160.527 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1.815, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,1 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Numri i të punësuarve në to është 26,6 % e të punësuarve gjithsej.

Aktivitetet financiare kanë numrin më lartë të të punësuarve për ndërmarrjet që kanë më shumë se një vendndodhje.

Njësitë lokale janë përqendruar në rajonin qendër (Qarqet Tiranë dhe Elbasan) me 41,0 % ndaj totalit të njësive lokale në rang vendi.

Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe mElbasan, ku janë përqendruar 41,3 % e ndërmarrjeve aktive. Pothuajse e njëjta situatë është edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2019, me 50,1 %. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,9 % të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 30,6 %. Kjo dukuri është e njëjtë si në nivel qarku, ashtu edhe në nivel bashkie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë