Futboll

Numrat thonë Reali, por Atalanta e Gjimshitit mund të befasojë ekspertët e Europës

Fisnikëria europiane zbarkon të mërkurën në Bergamo, Atalanta pret Realin e Madridit në ndeshjen e parë të 1/8-ve në Ligën e Kampionëve. Një ndeshje ëndrrash për tifozët e Atalantës, që do të shohin skuadrën e zemrës të ndeshet me 13 herë fituesit e kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh.

Skuadra e Berat Gjimshitit, mbrojtësit të Kombëtares, vjen në këtë sfidë me moral të lartë, pas fitores 4-2 ndaj Napolit, ndërsa Reali ka fituar 4 ndeshjet e fundit në La Liga dhe ka shkurtuar diferencën me Atletikon.
Është përplasja e parë në histori mes Atalantës dhe Realit. Bergamaskët po mësohen me Europën, kurse madrilenët i kanë provuar të gjitha.

Sezonin e kaluar Atalanta “gëlltiti” Valencian dhe kjo ishte hera e parë që përplasej me një skuadër spanjolle. Në anën tjetër, Reali është ndeshur shpesh me kundërshtarë italianë, hera e fundit këtë sezon ndaj Interit në Champions, ku i fitoi të dyja ndeshjet.

Berat Gjimshiti feston golin ndaj Lacios. Gazeta Si, 22 shkurt 2021

Bilanci i madrilenëve kundër skuadrave italiane në kupat europiane është 39 fitore, 11 barazime dhe 26 humbje. Në 11 ndeshjet e fundit Reali ka fituar 10 herë, me të vetmen humbje atë ndaj Juventusit (3-1 në 2018-ën). Janë 5 triumfet e njëpasnjëshme për skuadrën e Zidan në Itali.

Këtë sezon në Ligën e Kampionëve Atalanta ka marrë 9 pikë në transfertë dhe vetëm 2 pikë në fushën e saj. Në 7 ndeshje të luajtura në total në shtëpi në Champions, Gjimshiti me shokë kanë vetëm 2 fitore, të dyja në “San Siro” sezonin e kaluar. Synohet fitorja e parë në Bergamo dhe ndoshta ka ardhur momenti, edhe pse përballë janë ekspertët e Championsi. Reali ka disa mungesa, Benzema nuk do të jetë dhe kjo do të thotë më pak punë për mbrojtësin kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë