Politike

Numër i ulët i ekselentëve në administratë, thirrja e Ramës: Përfshihuni në punët e mëdha të mandatit të tretë

Edi Rama ka hapur një adresë në postën elektronike të Kryeministrisë, ku fton të gjithë ata që kanë studiuar e përfunduar me rezultate të larta brenda dhe jashtë vendit që të japin kontributin e tyre për ato që ai i cilëson si punët e mëdha të mandatit të tretë.

Adresa është gatipërshqipërinë@kryeministria.al dhe mesazhet që do të dërgohen prej personave të interesuar në të, sipas postimit të Ramës, do të kontrollohen nga vetë ai, ose anëtarët e kabinetit qeveritar.

Qëllimi kryesor i adresës është të përthithë mendime, ide e projekte, por pa përjashtuar ofertën për t’i përfshirë ekselentët në administratë në hartimin e zbatimin e ideve që kanë.

“Kjo adresë është në dispozicion të të gjithë atyre që kanë studiuar me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri, të cilët kanë dëshirë të më kontaktojnë mua personalisht apo anëtarët e tjerë të kabinetit, për të kontribuar me opinionet, idetë, projektet apo edhe gatishmërinë e tyre që të përfshihen drejtëpërdejtë në punët e mëdha të Mandatit të Tretë”, shkruan Rama.

Ftesa e Ramës për ekslenetët mbërrin pas publikimit të të dhënave të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, që tregoi për një aktivizim të ulët të tyre në administratë. Sipas Komisionerit, ekselentët zunë vetëm 1.7 për qind të pozicioneve të punës në institucionet publike përgjatë vitit 2020, ose vetëm 372 persona.

Shifra është në ulje me më shumë se 100 vetë në krahasim me 2019-ën, kur punësoheshin 493 ekselentë në administratë, ose 2.3 për qind e numrit të pozicioneve të punës në institucionet shtetërore, që ishin rreth 21 mijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë