Trend

Nuk u pëlqen si duken në Zoom, rriten kërkesat për kirurgji plastike

Danielle Braff - Pasi regjistroi shumë orë në Zoom, Sarah Hayes u shqetësua. “Vura re që fytyra ime po fillonte të dukej më e vjetër: vija të holla dhe të rëna”, tha menaxherja e  lartë i programit për një firmë financiare në Nju Hempshir.  “Padyshim që më shqetësojnë vijat e mia më shumë në video sesa në jetën reale”.

Kështu,  vendosi të bënte Botox.

Quajeni një bum të Zoom-it. Ose një moment oportun. Kirurgët plastikë në të gjithë globin po raportojnë në mënyrë anekdotale një numër të paparë të kërkesave për procedura. “Nuk dihet nëse kjo është kërkesë e rritur nga muajt e izolimit kur pacientët nuk ishin në gjendje të merrnin procedurat e tyre, ose rritje të interesit për shkak të faktorëve të tjerë të mundshëm”, tha Adam Ross, zëdhënës i Shoqatës Amerikane të Kirurgëve Plastikë, duke shtuar që organizata nuk do të kishte vlerësime për numrin e procedurave të bëra këtë vit deri në pranverën e vitit 2021.

Ka qenë stuhia perfekte, sipas ekspertëve të fushës. Shumë punonjës  po kalojnë më shumë kohë në Zoom, e cila nuk është më lajkatarja mes pasqyrave. Ata po e kuptojnë gjithashtu se nuk do të duhet të kthehen në një zyrë shpejt, gjë që do ta bëjë më të lehtë shërimin dhe mbajtjen private të operacionit. Ata që zgjedhin operacionin e fytyrës mund të mbulojnë ënjtjen pas operacionit me një maskë kur janë në publik. Shtoji kësaj numrin e prapambetur të pacientëve,  procedurat e të cilëve u shtynë gjatë mbylljes dhe klinika ose salla e operacionit e kirurgut kozmetik është bërë një vend shumë i lakmuar.

Jon Mendelsohn, drejtori mjekësor i Kirurgjisë Kozmetike të Avancuar dhe Qendrës së Laserit në Sinsinati, tha se procedurat e injektimit të tilla si Botox dhe mbushësit ishin rritur 90 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ai dyfishoi ditët e tij në sallën e operacionit dhe zgjati orët e tij në mënyrë drastike. “Gjatë konsultimeve virtuale, 9 në 10 persona komentuan rreth vëzhgimit të këtyre gjërave në Zoom”, tha Mendelsohn.

Jason Champagne, një kirurg plastik në Beverli Hills, Kaliforni, tha se shumë njerëz përqendrohen në mjekër, nofull dhe qafën e tyre në Zoom, sepse këndet e kamerës priren të nxjerrin në pah ato tipare. “Ne nuk jemi mësuar ta shohim veten ndërsa jemi në bisedë me të tjerët, kështu që njerëzit janë duke i kushtuar vëmendje lëvizjeve dhe tipareve të tyre të fytyrës ndërsa flasin”, tha Champagne.

Por Zoom është vetëm pjesërisht përgjegjës për rritjen në kulm të interesit  dhe procedurat e thjeshta injektuese nuk janë të vetmet në kërkesë të lartë. Njerëz të tjerë që kishin konsideruar kirurgji kozmetike në të kaluarën e kishin shtyrë idenë për shkak të kohës  joproduktive  të kërkuar pas operacionit - zakonisht dy deri në katër javë për procedura të tilla si tërheqja e  fytyrës, për shembull. Por tani që po punojnë nga shtëpia,  po e  rivlerësojnë.

“Ka njerëz që menduan se nuk do të kishin asnjëherë kohë , sepse shkonin në zyrë çdo ditë”, tha Steven Levine, një kirurg plastik me bazë në Nju Jork. Tani që ata janë duke punuar nga shtëpia, shtoi ai, ata mund të ndihen në rregull duke u kthyer në tryezat e punës në distancë pas  disa ditësh pushimi, sepse askush nuk mund t'i shohë ata.

Pacientë të tjerë të mundshëm po përfitojnë nga fakti se nuk ka ndonjë dasmë fizike për të marrë pjesë,  festa ditëlindjeje  apo pushime të mëdha, tha Levine. Plus, nëse janë ende të punësuar, ata nuk po shpenzojnë para për ato pushime ose shumë aktivitete të tjera para-pandemike dhe mund të kenë para shtesë për të shpenzuar.

Skena e ngadalësuar sociale është arsyeja që Iva Marra, ylli i shfaqjes Australiane të realitetit “Yummy Mummies”, ka planifikuar katër procedura me kirurgun Daniel Lanzer, duke përfshirë liposuksionin dhe ngritjen e qafës. “Eventet nuk kanë nisur  ende plotësisht, jo shumë njerëz po shkojnë jashtë, kështu që nëse të gjithë janë në shtëpi, është koha e përkryer për t'u rikuperuar”, tha Marra.

Me sa duket, shumë australianë të tjerë bien dakord. Lanzer tha se ngarkesa e pacientit në klinikën e tij në Melburn është rritur 200 përqind dhe atij i është dashur të shtojë pesë infermierë dhe katër recepsionistë  në stafin e tij prej 10 personash. Ai gjithashtu ka zgjeruar klinikat e tij në pesë qytete të  tjera Australiane dhe shtoi spitale të reja ditore për kirurgji kozmetike në qytetet e Melburnit, Sidnejt, Brisbane dhe Perth.

Liz Diegle nga Folsom, Kaliforni, bëri implante  të gjirit 10 vjet më parë, por mendoi se ishte shumë e rëndë me to. Një dekadë dhe tre fëmijë më vonë, Diegle, e cila punon në shitje të teknologjisë arsimore, e kuptoi se nuk do të duhej të udhëtonte për punë për një kohë të gjatë. Kështu që, ajo kontaktoi një kirurg plastik dhe do të caktojë një takim për heqjen e gjirit dhe heqjen e mundshme të implantit para se  zyra, e cila është ende e mbyllur për shkak të pandemisë, të rihapet. “Procesi i rikuperimit do të jetë shumë më i mirë, sepse unë nuk do të duhet të shkoj në konferenca ose të udhëtoj për punë”,  tha ajo. “Unë mund të gjej kohë të shërohem dhe të marr veten”.

Me kaq shumë njerëz që kërkojnë procedura në të njëjtën kohë, mund të jetë e vështirë për të caktuar  takime apo  operacione. Bruce Moskowitz, një kirurg okuloplastik dhe rindërtues në New York, tha në një e-mail se klinika  e tij ka parë “një rritje të konsiderueshme të kërkesave për injeksione (Botox, Xeomin dhe mbushës) si dhe procedura kirurgjikale kozmetike të tilla si blefaroplastika (heqja e qepallës), rinoplastikat dhe tërheqjet e fytyrës pasi njerëzit kanë punuar nga shtëpia dhe kanë më shumë kohë.

“Disa pacientë madje kanë ofruar të paguajnë një premium për të shpejtuar takimet dhe operacionet. (Ai nuk pranoi.) Një nga pacientët e Levine ofroi ta merrte  me avion  privat për në Lindjen e Mesme për të bërë fytyrën e saj. (Përsëri, jo.)

Situata në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu është konkurruese. Klinikat dhe spitalet e shoqëruara me Pall Mall Medical, një ofrues privat i kujdesit shëndetësor në Angli, u mbyllën në fund të Marsit dhe rihapën më 1 Qershor, me një rritje të madhe si të kërkesave,  ashtu edhe të rezervimeve të kirurgjisë kozmetike krahasuar me vitin e kaluar.

“Sfida më e madhe që vjen me Covid është që gjithçka zgjat më shumë”,  tha Trish Adams, drejtori i shërbimeve klinike në Pall Mall. Shumë pacientë kishin pritur për një kohë të gjatë për takimet e tyre, sepse ata nuk mund të hynin kur klinikat ishin mbyllur, gjë që ka rezultuar në një numër të prapambetur. “Kur përballeni me katër muaj pacientë [të cilët dëshirojnë të jenë] të grumbulluar  në një muaj, thjesht nuk do të ndodhë”.

Por, tha ajo, ata nuk do të mendonin as për ndjekjen e shpejtë të dikujt që ofron të paguajë më shumë. “Është e pamundur të vish të na takosh të premten, të paguash dyfish dhe të bësh barkun javën tjetër”, tha ajo.

Nëse jeni një pacient i ardhshëm, duhet të siguroheni që kirurgu juaj po ndjek rekomandimet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha Lanzer, të cilat përfshijnë kufizimin e vizitave në klinikë, kryerjen e kontrolleve të koronavirusit të stafit dhe pacientëve dhe duke kërkuar që të gjithë të veshin maska ​​për fytyrën. “Kur kryhet në mënyrë të sigurt, nuk ka rrezik shtesë të Covid në  kirurgji kozmetik”,  tha ai.

Një faktor tjetër për tu konsideruar paraprakisht është ajo që prisni nga operacioni.

Suzanne Trott, një kirurge plastike i certifikuar në Beverly Hills, tha se nuk ka të bëjë me mënyrën se si dukeni në Zoom, por me mënyrën se si ndiheni që e bën të vlefshme ecjen përpara me një procedurë kozmetike. “Kur të ndjeheni më të sigurt, do të projektoni një imazh më pozitiv dhe në të vërtetë do të jeni më produktiv dhe i suksesshëm me punën tuaj”, tha ajo.

Por terapistët janë më hezitues për të rekomanduar kirurgjinë kozmetike si një zgjidhje të shpejtë. “Mënyra në të cilën dukesh nuk ka aq shumë ndikim, sa mund të mendohet, në jetën e dikujt”, tha Michael Mazius, një psikolog i sjelljes në Mequon, Wis. “Nëse ju pëlqen mënyra se si dukeni pas operacionit dhe kjo ju jep besim, nuk ka gjasa që besimi të zgjasë nëse nuk e keni ndryshuar në mënyrë domethënëse arkitekturën e mendjes tuaj”.

Megjithatë,  psikologët nuk janë të befasuar që njerëzit po i kthehen kirurgjisë kozmetike gjatë pandemisë. Robin Hornstein, një psikolog në Filadelfia, tha që të gjithë po ndihemi jashtë kontrollit për momentin dhe një hap si ky i vë njerëzit në kontroll të diçkaje. Gjithashtu, tha ajo, është e rëndësishme të mbani mend se takimet me video janë një situatë e re për shumicën prej nesh.

“Në këtë mënyrë, një kirurgji plastike e frymëzuar nga Zoom mund të bazohet në një realitet të ri dhe unë do të paralajmëroja gjykimin që ajo merr për pamjen tonë”, tha Hornstein. “Unë jam lodhur duke parë fytyrën time tërë ditën - dhe vetja më pëlqen.”

Ju nuk duhet të prisni që operacioni kozmetik t'ju bëjë të lumtur, tha Hornstein. Sidoqoftë, mund të fshijë linjat tuaja të vrenjtura.

/ Washington Post/. Përktheu: Gazeta "Si".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë