Lajme

Nuk u dekretua nga Meta, por Gjinushi nis punën në krye të Akademisë së Shkencave

Emri i Skënder Gjinushit është rrëzuar nga presidenti Meta për t’u emëruar në krye të Akademisë së Shkencave.
Ndërkohë, Gjinushi nis sot zyrtarisht punën si kryetar i Akademisë së Shkencave, vendim, i cili vjen pas mbledhjes së Asamblesë dhe Kryesisë së Akademikëve, pavarësisht se presidenti nuk e dekretoi.
Gjinushi në një dalje për mediat, e cilësoi politik mosdekretimin nga presidenti Meta.
Sa i përket zgjedhjes së tij në Krye të Akademisë me ligjin e vjetër, Gjinushi tha se ligjet nuk cenojnë mandatet e fituara dhe se edhe me ligjin e ri Presidenti bën vetëm emërimin, ndërsa vendimin e merr Asambleja.
“Në Shqipëri kur ndryshon ligji, ndryshon institucioni. Me ligjin e vjetër presidenti duhet të bëjë vetëm emërimin, ndërsa vendimin e merr Asambleja. Kundërshtimet nga faktorët e jashtëm, ka ndërhyrje politike, pasi mandatet janë të vlefshme edhe me ligjin e ri.
Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e presidentit”, u shpreh Gjinushi në një dalje për mediat.
Zgjedhja e Skënder Gjinushit u shoqërua me polemika të shumta, pasi ishte kandidati i vetëm në këtë post. Nga Partia Demokratike u cilësua si një zgjedhje e kryeministrit Rama dhe si një dhunim i institucionit.

Reagon Partia Demokratike

Pasi Skënder Gjinushi nis sot zyrtarisht punën si kryetar i Akademisë së Shkencave, pavarësisht se presidenti nuk e dekretoi vjen edhe një reagim nga Partia Demokratike.
Ish-deputeti Luçiano Boçi në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh se Edi Rama sot vuri në krye Akademisë ministrin e fundit të diktaturës komuniste.
“Edi Rama vazhdon të uzurpojë e të pushtojë institucionet e pavarura kushtetuese me kamikazët e tij politikë, duke ricikluar figura si Skënder Gjinushi, që i shërbyen regjimin komunist edhe gjatë rënies së tij.
Pasi i imponoi Akademisë së Shkencave një ligj krejtësisht sovjetik dhe antikushtetues, ai sot vuri në krye Akademisë ministrin e fundit të diktaturës komuniste, duke shkelur plotësisht Kushtetutën dhe Ligjin për Akademinë e Shkencave”, u shpreh Boçi.

Ish-deputeti tha ndër të tjera se Gjinushi është rrëzuar me dekret nga Presidenti, por Edi Rama kthen Akademinë e Shkencave në një organizatë tjetër politike.
“Skënder Gjinushi është rrëzuar me dekret nga Presidenti i Republikës, por Edi Rama, në vend që të ikë bashkë me të, për dështimin e tij personal me negociatat, kthen Akademinë e Shkencave në një organizatë tjetër politike”, u shpreh ndor të tjera ish-deputeti.
Boçi tha se këtë emërim, Partia Demokratike do ta ankimojë në Kushtetuese, sapo kjo gjykatë të jetë funksionale.
“Partia Demokratike kundërshton me forcë këtë uzurpim të Akademisë së Shkencave nga Edi Rama dhe Skënder Gjinushi, si dhe dënojmë çdo ndërhyrje politike në Akademi.
Emërimin e turpshëm dhe të paligjshëm të ushtarit të Edi Ramës dhe Tom Doshit në Akademinë e Shkencave, ne do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese, sapo kjo gjykatë të jetë funksionale”, tha ndër të tjera ish-deputeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë