Rend dhe Ligj

Nuk u arrestua Talo Çela, por sekuestrohen pasuritë e Mustafa dhe Gentjan Sharrës

Nga Gazeta Si - Drejtori i Policisë së Elbasanit, Ardian Çipa, së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi, në një konferencë për shtyp kanë bërë me dije se janë sekuestruar pasuritë e Mustafa dhe Gentjan Sharra.

Operacioni policor i koduar “Illegal assets” u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Drejtori Çipa ka bërë me dije se janë sekuestruar pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro në emër të shtetasve Gentian Sharra dhe të babait të tij, shtetasit Mustafa Sharra.

Emri i Gentian Sharrës ka dalë nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili e ka përmendur atë së bashku me Talo Çelën në fillimet e njohjes mes tyre kur kishin kryer disa grabitje.

Gentian Sharra është një emër i njohur për policinë dhe drejtsinë, i dënuar më parë, me aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, i dyshuar për grabitjen e një sasie të madhe parash në Rinas, si dhe i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Golden bullet”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, u sekuestruan:

-1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë;

-Truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 15680 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasve Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4170 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4050 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2 dhe ndërtesë, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.

Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjarëve të tij.

Mbrëmjen e së enjtes, RENEA rrethoi gjithë zonën e Elbasanit, duke operuar me dy grupe të mëdha kontrollesh, njëri i dislokuar në Elbasan, kryesisht në zonën e Tregut Industrial dhe tjetri në Peqin.

RENEA dhe grupe të FNSH-së, që prej më shumë se një muaji, ushtrojnë kontrolle të panumërta në Elbasan dhe rrethina, në të gjitha pikat ku pretendohet se strehohet Talo Çela, por ende nuk është bërë e mundur të arrestohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë