Kinema

Nuk përballoi dot vdekjen e babait, ndahet nga jeta aktori Angus Cloud

Angus Cloud, aktori i njohur për rolin e tij në serialin “Euphoria”, është ndarë nga jeta në moshën 25-vjeçare, konfirmoi familja e tij të hënën.

Publicistja e Cloud, Cait Bailey tha se Cloud vdiq të hënën në shtëpinë e familjes së tij në Oakland, Kaliforni. Nuk u dha asnjë shkak i vdekjes.

Babai i aktorit vdiq kohët e fundit, thuhej në deklaratë dhe aktori e pati të vështirë ta përballonte humbjen e tij.

Angus Cloud u bë i famshëm në “Euphoria” duke luajtur rolin e shpërndarësit të drogës Fezco "Fez" O'Neill dhe shumë shpejt u shndërrua në një nga personazhet e preferuar të fansave të serialit.

Ai nuk kishte lidhje me aktrimin para se të merrte pjesë në “Euphoria”. Angus po ecte në rrugë në New York kur Eléonore Hendricks, e cila rekruton talente, e vuri re. Cloud ishte skeptik në fillim, duke dyshuar për një mashtrim. Më pas, drejtoresha e kastit të aktorëve, Jennifer Venditti, u takua me të dhe krijuesi i serialit, Sam Levinson, përfundimisht e bëri një yll të “Euphoria” për dy sezonet e para.

“Nuk kishte asnjë si Angus. Ai ishte shumë i veçantë, shumë i talentuar dhe shumë i ri për të na lënë kaq shpejt. Ai gjithashtu luftoi, si shumë prej nesh, me varësinë dhe depresionin. Shpresoj që ai ta dijë se sa zemra ka prekur. Unë e doja shumë. Do ta dua gjithmonë,” tha Sam Levinson për Hollywood Reporter.

Cloud pati një rol dytësor në filmin e tij të parë, “The Line”. Ai gjithashtu realizoi videoklipe për Juice WRLD, Becky G dhe Karol G. Së fundmi, u zgjodh si aktor në “Scream 6” dhe kishte përfunduar xhirimet e rolit të tij në një thriller që do të publikohej në prill të vitit të ardhshëm./BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë