Politike

Nuk mungojnë ironitë/ Bardhi i kundërpërgjigjet Bashës, fton deputetët e tri grupimeve

Kuvendi i Partisë Demokratike që përjashtoi Gazment Bardhin, por edhe një pjesë të deputetëve kundër pati reagime të shumta nga deputetët demokratë, të cilët nisin të ironizonin vendimet e marra.

Dashnor Sulaj, deputeti që është mundur të mos mbajë anën e asnjë grupimi, u përqendrua në reagimin e tij te fakti që Basha merr kompetencën e të gjithë funksioneve të rëndësishme në PD.

“Prandaj s’paska ardhur PD ne pushtet sepse ish-kryetari paska dashur të bëhet kryetar grupi. Ndarja nga e kaluara dhe demokratizimi i partisë domethënë paska qenë përqendrimi i pushteteve te një individ?!  Asnjëherë nuk e humb mundësinë për tu bërë qesharak sa herë që del në publik. Ne paskemi qenë lodhur kot për ta bërë kryeministër, ai dashka vetëm Kryetar Grupi”, shkruan Sula.

Ai më pas e thumbon Bashën duke shtuar se “si ka mundësi që i vetshpalluri lider perëndimor kërkon kufizim te mandatit te kreut të qeverisë por këtë praktik nuk e nis nga kryetari i partisë, madje e shmang nga çdo përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve”. “Mbi një vit i shkëputur nga politika aktive duket se e paska shpenzuar për relaksim të thellë dhe kurrësesi për PD dhe demokratët”, shkruan Sula.

Vetë përjashtimin si kryetar grupi, Bardhi e lidhi me një shprehje të shkrimtarit rus Dostojevksi: “Mbi të gjitha mos e gënjeni veten”.

“Të jetosh në deziluzion, është fatkeqësi personale. Të mashtrosh me vetëdije të tjerët dhe mbi të gjitha veten, për të disatën herë, është e pafalshme!”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.

Por në mesin e atyre që mbështesin Bashën, ka edhe të dyzuar. E tillë është edhe deputetja Flutura Açka, që dikur kërkonte largimin e Bashës, ndërsa tani e mbështet. Ajo publikoi në rrjetet sociale fjalimin që nuk iu lejua ta mbante në Kuvendin Kombëtar.

Ajo thekson se është aty për institucionin e PD-së dhe jo për atë që e cilëson për non gratat. “Unë jam prej atyre njerëzve që kam menduar dhe kam kërkuar publikisht largimin e zotit Basha pas zgjedhjeve të 6 marsit, e bindur se kjo parti kishte punuar për trashëgiminë e saj politike. Lulzim Basha nuk është këtu sërish prej katarsisit tim, por është ndihmuar nga bindja ime se atyre që nuk lëshojnë fatëa kur iu del hapur kundër, e ke shumë më të lehtë t’ua kërkosh largimin kur të vijë ora. Ajo orë ende nuk kishte ardhur për Lulzim Bashën. E tregoi 6 marsi, e dëshmuan qartë muajt e agonisë sonë, e vulosi 14 maji. Madje edhe për ata me vizion të qartë, edhe për ata që u tallën me demokratët, edhe për ata që iu fshehën demokratëve, edhe për ata që bashkëpunuan kundër demokratëve”, shkruan ndër të tjera Açka.

Ftesa e Bardhit si kundërpërgjigje ndaj Bashës

Por një zhvillim I papritur u ndërmor nga vetë Gazment Bardhi, i cili bëri një ftesë publike për të gjithë deputetët për të zhvilluar një mbledhje me datën 5 shtator dhe për të diskutuar mbi zhvillimet brenda së djathtës.

“Duke ruajtur dhe respektuar qëndrimin apo mendimet individuale të çdo deputeti për zhvillimet apo debatin e brendshëm në Partinë Demokratike dhe në kampin opozitar, ndaj bindjen me shumicën e kolegëve që kjo nuk duhet të na pengojë për t’u bashkuar dhe për të unifikuar qëndrimin dhe aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, në nisje të këtij sesioni parlamentar, do të ndërmarr nismën për thirrjen ditën e martë, datë 5 Shtator 2023, të një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve të koalicionit ‘PD-AN’, pa asnjë përjashtim”, thuhet në deklaratën e lëshuar si kryetar I grupit të PD-së, edhe pse Basha e shkarkoi me marifetet e statutit të PD-së.

Bardhi thekson se “duke besuar se shqetësimi për nevojën urgjente të unifikimit të opozitës bashkëndahet nga çdo deputet që ndien përgjegjësinë për një përballje të unifikuar kundër Edi Ramës, mirëpres pranimin e kësaj thirrje të sinqertë, me qëllimin e mirë të përcaktimit të axhendës dhe strategjisë së përbashkët të të gjithë PD dhe të gjithë opozitës parlamentare”.

Më tej ai thekson se “për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur në këto 2 vitet e fundit. Lufta e brendshme në Partinë Demokratike e ka dobësuar opozitën dhe shpesh e ka shfokusuar nga misioni i saj, duke i krijuar një komoditet të pashoq e tërësisht të pamerituar Edi Ramës në mandatin e tij të 3 radhazi, ku sundon keqqeverisja, arroganca dhe korrupsioni. Kjo situatë dikton nevojën që, në mënyrë urgjente, secili prej nesh, deputetëve të opozitës, të tejkalojë vetveten për të ofruar dhe për të gjetur zgjidhje në interes të përbashkët të të gjithë opozitarëve dhe çdo qytetari që kërkon ndryshimin e qeverisjes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë